AlbanianSport.com 29/02/2024 17:30
ASNN – Dënohet dhe gjobitet Kristiano Ronaldo. Portugezi ndëshkohet me një ndeshje pezullim dhe 6,700 stërlina për gjestin e pahijshëm. Drejtuesit e Komisionit Disiplinor dhe Etik të Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite e kanë dënuar Kristiano Ronaldon për “sjellje të papërshtatshme” në ndeshjen kundër El-Shababit.
Por portugezi ka këmbëngulur se veprimet e tij ishin normale. Tifozët e El-Shababit provokuan Ronaldon nga tribuna duke thirrur emrin e Lionel Mesit gjatë ndeshjes ndaj El-Nasrit. Fillimisht Ronaldo reagoi duke i vënë dorën në vesh, sikur nuk i dëgjonte, por në një moment humbi durimin dhe bëri gjest të pahijshëm drejt tyre.
El-Nasri e mposhti 3-2 në fushë të huaj Al-Shababin. Për këtë, ai do të dënohet për një ndeshje, por në shpjegimin për autoritetet saudite, 39-vjeçari ka thënë se festimi i tillë është normal në Evropë. “Unë i respektoj të gjitha klubet. Gjesti i gëzimit shpreh forcën dhe fitoren dhe nuk është i turpshëm. Jemi mësuar me të në Evropë”, – ka thënë ai.
Për shkak të pezullimit, Ronaldo pritet të mungojë në ndeshjen e kampionatit saudit ndaj Al-Hazmit, ndërsa është gjobitur edhe me 10,000 rijalë sauditë (6,700 stërlina angleze) për gjestin e tij. Kujtojmë këtu se ylli portugez fiton më tepër 170 milionë stërlina angleze në vit.
Ndëshkimit nuk i ka shpëtuar as klubit kundërshtar, Al-Shababi, që për provokimin e bërë nga tifozët e tij, gjobitet me 20,000 rijalë sauditë (afro 13,500 stërlina angleze).