AlbanianSport.com 17.12.2014 18:35
ASNN – Partizani është mundur 0-1 nga Vllaznia në javën e 17-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, duke zbritur kështu në vendin e 3-të në renditje. Kjo është humbja e dytë radhazi për skuadrën e trajnerit Duro.
Ndërkohë, Kukësi ka marrë kryesimin e renditjes, falë fitores 1-0 me Tiranën dhe Skënderbeu i rikthehet fitores në fushën e vet, teksa ka mundur 1-0 Flamurtarin dhe ngjitet në vendin e dytë.
Kukësi ka mundur Tiranën me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe është ngjitur në vendin e parë të renditjes së Kategorisë Superiore me 35 pikë pas 17 javësh të luajtura, kjo edhe falë humbjes surprizë së Partizanit në “Qemal Stafa” ndaj Vllaznisë.
Kukësi shënoi që në minutën e katërt të takimit me anë të Vilfor Hysës dhe arriti ta ruante epërsinë deri në fund, duke marrë tre pikë shumë të vlefshme në luftën për titullin “kampion”.
Ndërkohë, në terrenin e rënduar të stadiumit kombëtar skuadra e Shpëtim Duros humbi 0-1 ndaj shkodranëve, të cilët shënuan me Tafilin në minutën e 37. Në ndeshjet e tjera të luajtura, Skënderbeu fitoi 1-0 ndaj Flamurtarit, Teuta mundi Apoloninë 1-0 dhe Laçi mposhti Elbasanin me po të njëjtin rezultat.