AlbanianSport.com 25/02/2024 21:15
ASNN – E diela, me gjuhën e golave kuqezi. Manaj dhe Muçi gjejnë rrugën e rrjetës në Turqi, Asllani, pasim goli si titullar me Interin. Kështu, golat shqiptarë e ngjyrosin kuqezi të dielën nëpër Evropë, teksa Rei Manaj dhe Ernest Muçi gjejnë rrugën e rrjetës në Turqi, kurse Kristjan Asllani ka dhënë pasim goli si titullar me Interin, duke fituar edhe derbin shqiptar me Ylber Ramadanin dhe Medon Berishën.
E diela ka qenë kuqezi në të gjitha skajet e kontinentit të vjetër, pasi kanë shpërthyer golat shqiptarë. Nuk ka të ndalur Rei Manaj, që po shkëlqen me fanellën e Sivasporit në kampionatin turk. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e radhës, të 14-in sezonal në Superligë, në sfidën e së dielës kundër Pendiksporit. Manaj ka shënuar golin e tretë për skuadrën e tij, në fitoren 4-1 të Sivasporit në këtë takim.
Sulmuesi ngjitet në kuotën e 14 gola në listën e golashënuesve dhe ndan vendin e tretë në këtë renditje në kuotë të barabartë golash me Ikardin. Ky është goli i 18-të sezonal për sulmuesin kuqezi në të gjitha veprimtaritë në 26 ndeshje që ka luajtur me fanellën e Sivasporit. Me paraqitjet e tij shumë të mira javë pas jave, Manaj duket se po vë në presion trajnerin e kombëtares Silvinjo, pasi është ai sulmuesi kuqezi i momentit.
Po kështu po bën edhe Ernest Muçi, i cili, në ndeshjen e tij të 3-të në Superligën e kampionatit turk ka gjetur më në fund rrugën e rrjetës me skuadrën e tij, Beshiktashin, që ka fituar me shifrat 2-0 në fushën e Istambulsporit. Sulmuesi shqiptar, i cili ishte titullar, realizoi në pjesën e dytë, duke vulosur fitoren e skuadrës së tij në derbin e Stambollit me golin e shënuar në minutën e 64-t.
Titullar ka qenë edhe Kristjan Asllani, i cili ka kontribuuar në fitoren e thellë të Interit, 4-0, ndaj Leçes dhe ka fituar edhe derbin shqiptar të kësaj sfide me Ylber Ramadanin dhe Medon Berishën. Asllani dha pasimin e zgjuar për Lautaro Martinezin, i cili hapi rrugën e fitores së zikaltërve, duke shënuar në minutën e 15-të. Shqiptari ishte i shkëlqyer, duke e zëvendësuar më së miri Hakan Çalhanollunë në mesfushën e Interit.