AlbanianSport.com 25/02/2024 19:30
ASNN – Skënderbeu, një fitore “nervash” ndaj Partizanit. Fiton 1-0 në Korçë, të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë. Fitore nervash, por shumë e rëndësishme ishte ajo 1-0 e Skënderbeut në shtëpi të dielën në mbrëmje përballë Partizanit, me golin e shënuar nga Liço nga pika e bardhë e 11-metërshit, në takimin e vlefshëm për javën e 25-të të Kategorisë Superiores. Korçarët bënë gjithçka mirë ne pjesën e parë, duke kontrolluar lojën e duke filluar të krijonin raste para portës së Hoxhës, derisa gjetën golin e epërsisë me 11-metërshin e saktë e Liços.
Më pas ata u mbrojtën me shumë kujdes duke administruar epërsinë ndaj kryeqytetasve, të cilëve iu deshën shumë minuta për t’u zgjuar dhe për të prodhuar gjuajtje në portë. Kampionët në fuqi u përpoqën deri në fund që të realizonin golin e barazimit, por nuk ia dolën, në një sfidë që u tensionua dhe bëri që të dy ekipet ta mbyllnin me 10 lojtarë. Në fakt, Skënderbeu tregoi një lojë të mirë në pjesën e parë duke krijuar raste, deri sa arriti të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 38-të nga pika e bardhë.
Ishte Sembene ai që ndali topin me dorë brenda zonës pas një harkimi të Rashicës dhe Liço nga pika e bardhë u tregua i saktë. Të kuqtë kërkuan me të gjitha mënyrat golin e barazimit në një sfidë që kishte dhe nota tensioni, ku të dyja skuadrat e mbyllën sfidën me nga 10 lojtarë, por nuk ia dolën. Janaqi dhe Rrapaj u ndëshkuan me të kuqe pas përplasjes mes tyre. Madje dhe në mbyllje të sfidës nuk ka munguar tensioni mes lojtarëve të të dy skuadrave.
Me këtë fitore, korçarët futen në grupin e skuadrave që pretendojnë një vend në “4-shen Finale”, ndërsa të kuqtë e kryeqytetit tregojnë edhe njëherë luhatjet e tyre e tashmë rrezikojnë dhe vendin e dytë. Ndërsa së bashku me Dinamon, Skënderbeu e zgjeron grupin e skuadrave me ambicie për katërshen e parë.