AlbanianSport.com 24/02/2024 18:25
ASNN – Skënderbeu dominon Superligën për femra, Tirana fiton derbin me Barleti Volej. Kështu, Skënderbeu nuk e lëshon kreun e renditjes në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, pas fitores 3-0 (32-30, 25-17, 25-16) ndaj Lushnjës në kryeqytet.
Një përballje mes dy ekipeve që janë në skajet e kundërta të renditjes, ndaj fitorja e korçareve ishte një formalitet, pavarësisht emocioneve që dhuroi seti i parë, që ishte një maratonë. Po 3-0 (25-21, 25-14, 25-8) fiton edhe Tirana, që mundi Barleti Volejin në derbin kryeqytetas.
Loja e skuadrës universitare erdhi në rënie nga seti në set, ndërkohë që epërsia e bardhebluve ishte e madhe, duke e merituar fitoren. Pogradeci fitoi 3-1 ndaj Teutës në Durrës (22-25, 25-15, 25-11, 25-17), një fitore me përmbysje e ekipit liqenor, që synon një vend në katërshe.
Mikeshat e nisën jo mirë ndeshjen, por më pas morën kontrollin e lojës në dorë dhe e dominuan ndeshjen. Ndërkaq, ndeshja Partizani-Vllaznia në volejboll për femra, u shty për një datë tjetër, pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku një i ri humbi jetën në sallën kryesore.
Kampionati Kombëtar
Volejboll – Femra
Superliga
Java e 11-të
Lushnja – Skënderbeu 0-3
Barleti Volej – Tirana 0-3
Teuta – Pogradeci 1-3
Partizani – Vllaznia (E shtyrë)
Renditja
- Skënderbeu 31 pikë
- Partizani 27 pikë*
- Tirana 27 pikë
- Barleti Volej 15 pikë
- Vllaznia 13 pikë*
- Pogradeci 13 pikë
- Teuta 3 pikë
- Lushnja 0 pikë
*Partizani e Vllaznia kanë një ndeshje më pak