AlbanianSport.com 23/02/2024 22:35
ASNN – Peshëngritësi i Teutës, Rilind Hysa, ka treguar për RTSH Sport se është në pritje të përgjigjes dhe që është në gjendje verifikimi të analizës së tij për çfarë dyshohet. Ajo që thuhet dhe në e-mailin koinfidencial që Organzata Kombëtare Antidoping (OKAD) i ka dërguar më 26 janar vetë peshëngritësit është fakti se në analizën e tij të kryer gjatë Kampionatit Kombëtar janë gjetur gjurmë të pazakonta (Atypical Finding).
Kjo shkresë konfirmon se analiza e tij ka probleme, pra ai ka rezultatuar pozitv, por peshëngritësi ka patur kohë deri më 13 shkurt që të paraqiste listën e medikamenteve që ka përdorur në 7 ditët e fundit para kryerjes së testit. Gjë të cilën në fakt, Hysa deklaron se e ka bërë, pasi, sipas tij. është paraqitur dhe pranë Organizatës Kombëtare të Antidopingut. Ndaj dhe është në pritje të përgjigjes, ndërsa duhet theksuar se ajo që nuk thuhet është se tashmë janë ezauruar afatet për përgjigje.
Emri i tij doli në sipërfaqe pas përplasjes midis peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP), pasi shkodrani foli për fshehjen e një rasti me doping, por nuk ka përmenduar se për cilin bëhet fjalë. Më pas, falë reagimit të FSHP-së, u mësua se Organizata Kombëtare e Antidopingut ka lajmëruar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që përgjigjet e testeve janë në llogaritë personale të sportistëve që janë kontrolluar.
Duke postuar edhe përgjigjen e shkresës së testeve më të fundit antidoping, FSHP sqaron: “Përkundrazi, Federata ka një bisedë zyrtare nëpërmjet email me OKAD (Organizata Kombëtare Antidoping), të cilës i drejtohemi dhe interesohemi nëse nga testimet e fundit, mbajtur më 13.01.2024, me propozimin e Federatës për testimin e 6 sportistëve pretendentë në Kampionatin Kombëtar për të rritur është ndonjë sportist i dyshuar pozitiv.”
“OKAD përgjigjet se sportistët e testuar mund të gjejnë rezultatet e testimeve në llogarinë e tyre në sistemin ADAMS”, – shkruan Federata, që në fakt nuk ka publikuar asnjë analizë të sportistëve, ndërsa shkresa e OKAD-it është thjesht kthim përgjigje procedurë, duke mos i mohuar ndërkohë akuzajt e shkodranit. Dhe tashmë pohimi nga ana e Rilind Hysës, i cili sidoqoftë këmbëngul që është ende në pritje të përgjigjes, edhe pse afatet kanë kaluar tashmë.