AlbanianSport.com 21/02/2024 23:00
ASNN – Liga e Kampioneve, mbyllen të parat e 16-shes. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka luajtur të mërkurën në mbrëmje takimet e para të dy çifteve të 4-ta dhe të fundit të turit të 16-shes. Radio-Televizioni Shqiptar ka sjellë përballjen më të spikatur të mbrëmjes, Napoli-Barcelona, si dhe emisionin e posaçëm të Ligës së Kampioneve.
Kështu, me ndeshjet e dy çifteve të fundit, janë mbyllur të mërkurën në mbrëmje takimet e para të turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve. Në sfidën e luajtur në Stadiumin “Diego Armando Maradona”, pjesa e parë ka qenë e mbizotëruar nga skuadra katalane, e cila ka bërë një vëllim më të madh loje dhe ka ndërtuar edhe raste për shënim, përballë një skuadrës vendase, që ishte më e përqendruar në fazën mbrojtëse, për të mos pësuar shpejt gol.
Dhe, për rrjedhojë, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Ndërsa ajo e dyta do të shohë Barcelonën të bëjë dallimin falë cilësisë në organikën e saj pas një ore lojë, pasi një veprim vetjak i Robert Levandosvkit finalizohet me një goditje të beftë të polakut, që mposht mbrojtësit dhe portierin e Napolit dhe përshëndet rrjetën. Loja në vijim do të hapet, me të dyja skuadrat që kërkojnë të gjejnë golin që do të ndryshonte shumëçka.
E 15 minuta para fundit, Osimhen do të rrotullohet bukur në zonë dhe do të godasë, duke e dërguar topin në rrjetë. Nuk ka më gola deri në fund dhe mbyllet në barazim 1-1 kjo sfidë e parë midis Napolit dhe Barcelonës, duke lënë gjithçka për ndeshjen e kthimit sa i përket kualifikimit. Edhe në takimin tjetër të mbrëmjes, Porto dhe Arsenali janë ndarë në barazim, por me rrjeta të paprekura.