AlbanianSport.com 21/02/2024 14:45
ASNN – Kursi i Mjekësisë Sportive, Dr. Dritan Todhe: “FSHF ka arritur nivele evropiane në organizimin e kurseve”. Edicioni i 3-të i Kursit të Mjekësisë Sportive që ngriti siparin në janarin e këtij viti po vijon sipas programit në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet. Lektorët kryesorë janë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive të Federatës Shqiptare të Futbollit, Xhanluka Stesina e Ilvi Begolli. Ndërkohë gjatë kursit janë të ftuar lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e Mjekësisë Sportive.
Në leksionin e fundit me temë “Trajtimi kirurgjikal i patologjive të gjurit” ishte i ftuar Kirurgu ortoped, Dr. Dritan Todhe, i cili ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e tij të vyer në fushën e Mjekësisë Sportive. Doktori i njohur në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së, tha se në vitet e fundit ka spikatur organizimi i kurseve pranë FSHF-së që sipas tij ndikon drejtpërdrejtë në kualifikimin më të mirë të personelit të mjekësisë sportive. “Jam Dritan Todhe, Kirurg ortoped prej 20 vjetësh”, – ka thënë ai fillimisht.
“Merrem me Mjekësinë Sportive, konkretisht me kirurgjinë e gjurit dhe të shpatullës prej mbi 10-15 vjetësh, – ka vijuar kirurgu. – Mundohem të jap kontributin tim modest edhe në bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, sidomos në vitet e fundit ku ka spikatur organizimi i kurseve të Mjekësisë Sportive dhe trajnerëve të UEFA PRO, UEFA A dhe UEFA B, të cilët japin kontributin e tyre në kualifikimin gjithmonë e më të mirë të stafeve tona mjekësore dhe jo mjekësore, sportive drejt përmirësimit të cilësive të sportit dhe kualiteteve mjekësore që ne kemi.”
“Unë merrem kryesisht me kirurgjinë e meniskut, ligamenteve, kërceve të gjurit, traumat sportive dhe jo sportive, dëmtimet e supit, daljet e tyre nga vendi, të gjitha patologjitë që lidhen me sportin, – theksuar Dr. Todhe. – Sigurisht edhe me patologjitë e dëmtimeve muskulare dhe jo muskulare të cilat ndikojnë dhe janë të spikatura sot në temat e Mjekësisë Sportive dhe kualifikimet e mjekëve dhe fizioterapistëve sportive.” Më tej, ai foli për temat që do të diskutohen gjatë leksionit dhe theksoi se niveli i organizimit të kurseve është i njëjtë me atë evropian.
“Si edhe në vitet më përpara edhe këtë vit bashkëpunimi me FSHF-në vazhdon. Sot jemi bërë gati për të folur për trajtimin kirurgjikal të patologjive të gjurit, në të cilat do të flitet për parandalimin e traumave të gjurit, për trajtimin e tyre të emergjencës dhe për trajtimin e tyre definitiv të një cilësie të lartë sportive. Niveli i organizimeve të kursit është gjithmonë e më i lartë, padyshim kemi arritur nivele europiane, jo vetëm në organizim por edhe cilësia e temave këtu është gjithmonë e më e lartë dhe përgatitja e fizioterapistëve dhe mjekëve sportiv është e niveleve evropiane”, – përfundoi Dr. Dritan Todhe.