AlbanianSport.com 20/02/2024 23:05
ASNN – Interi, fitore minimale në shtëpi, mund 1-0 Atletikon e Madridit, të mërkurën, Napoli-Barcelona (20:00), në RTSH. Kështu, në sfidën e luajtur në “San Siro”, Interi ka mbizotëruar me lojë dhe me raste, por ka arritur ta mundë me një gol të vetëm Atletikon e Madridit. Ndërkaq, në takimin tjetër të së martës, në Holandë PSV-ja e Eind’hovenit dhe Borusia e Dortmundit janë ndarë në barazim 1-1. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka luajtur të martën në mbrëmje takimet e para të dy çifteve të 3-ta të turit të 16-shes.
Dhe, në sfidën e luajtur në “San Siro”, Interi ka mbizotëruar me lojë dhe me raste, por ka arritur ta mundë me një gol të vetëm Atletikon e Madridit. Goditja e Arnautoviçit që u devijua 11 minuta para fundit të kohës së rregullt në rrjetë nga portieri dhe një mbrojtës i skuadrës madrilene, u dha zikaltërve një fitore minimale për ta marrë me vete për ndeshjen e kthimit. Ndërkaq, në takimin tjetër të së martës, në Holandë ka qenë Borusia e Dortmundit që kaloi në epërsi në minutën e 24-t, me anë të Malenit. Me këtë epërsi minimale të miqve do të mbyllen 45 minutat e para.
Ndërsa në ato të dytat, skuadra vendase do të arrijë të barazojë shifrat. Një 11-metërsh i shndërruar në gol në minutën e 56-të nga Luk De Jong ka rikthyer barazpeshën në shifra, që do të mbetet në fuqi deri në fund, dhe PSV-ja e Eind’hovenit dhe Borusia e Dortmundit e mbyllin 1-1 takimin e parë, duke bërë që në këtë çift gjithçka të mbetet për t’u vendosur në ndeshjen e kthimit. Të mërkurën luhet takimet e dy çifteve të fundit të turit të 16-shes dhe Radio-Televizioni Shqiptar do të sjellë përballjen më të spikatur të mbrëmjes, Napoli-Barcelona, si dhe emisionin e posaçëm të Ligës së Kampioneve.