AlbanianSport.com 17/02/2024 20:45
ASNN – FSHF në bashkëpunim me EPPC organizojnë trajnim 3-ditor me temë “Marrëdhëniet në punë & Komunikimi”. Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me EP & Partners Consultancy (EPPC) ka organizuar një trajnim 3-ditor me temë “Marrëdhëniet në punë & Komunikimi” në ambientet e Stadiumit “Arena Kombëtare”.
Në këtë trajnim morën pjesë trajnerët e ekipeve Kombëtare për djem dhe vajza, disa prej trajnerëve të ekipeve përfaqësuese rajonale për djem dhe vajza, si edhe përgjegjësi i sektorit të video-analizës në FSHF, Alariko Rosi dhe dy përgatitësit atletikë të Kombëtares shqiptare, Luka Laurenti dhe Iris Selimi.
Ky trajnim ka si qëllim të ndihmojë në rritjen e motivimit dhe cilësisë së komunikimit në punë si edhe për të kuptuar se çfarë është e nevojshme për të qenë i suksesshëm në marrëdhëniet në punë. Gjatë trajnimit u diskutuan edhe disa tema të tjera që kanë të bëjnë me rëndësinë e marrëdhënieve efektive në punë dhe përfitimet e zhvillimit të marrëdhënieve pozitive midis kolegëve.
Gjithashtu trajnimi u fokusua në zhvillimin e aftësive kyçe të komunikimit, të cilat janë thelbësore për një seancë stërvitore të suksesshme, duke përfshirë dëgjimin aktiv, ofrimin e reagimeve konstruktive, të folurit motivues dhe nxitjen e marrëdhënieve pozitive. Të gjithë pjesëmarrësit ishin aktiv në diskutimet që u zhvilluan dhe në fund u pajisën me certifikatën e pjesëmarrjes dhe raportin e analizës Extended DISC.