AlbanianSport.com 17.12.2014 09:45
ASNN – Pogradeci, ndeshjen e radhës që do ta luajë sot në Stadiumin e vet “Gjorgji Kyçyku” me Lushnjën e ka konsideruar si takimin e vitit. Në idenë e tyre liqenorët, të cilën e kanë shfaqur dhe në faqen në “Facebook” KS Pogradeci, e kanë konsideruar ballafaqimin me kryesuesit e grupit të Jugut më shumë se sa ndeshje.
Sepse për skuadrën e trajnerit Ardian Abazajt një fitore me lushnjarët do të thotë një hap më shumë drejt ngjitjes në Kategorinë Superiore. Pogradeci aktualisht ka 15 pikë dhe në ballafaqimin me skuadrën e Artan Banos në 90 minuta luhet dhe krenaria e qytetit.
Për një sukses të mundshëm ndaj kryesuesve, pogradecarët u kanë bërë thirrje të gjithëve që të jenë të bashkuar në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” e të bëhen një trup i vetëm, kjo së bashku me trajnerët, lojtarët dhe drejtuesit e klubit, për ta nxjerrë me sukses ndeshjen ndaj lushnjarëve.
“Të gjithë bashkë për krenarinë e Pogradecit, të gjithë bashkë për në Superiore”, kjo është thirrja e pogradecarëve.