AlbanianSport.com 13/02/2024 23:05
ASNN – Liga e Kampioneve, nis turi i 16-shes. Të martën u luajtën të parat e dy çifteve të para, të mërkurën, Lacio-Bajern vjen drejtpërdrejt në RTSH. Kështu, veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, është rikthyer të martën me takimet e para të dy çifteve të para të turit të 16-shes. Të mërkurën i luajnë takimet e para dy çifte të tjera dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin Lacio-Bajerni i Mynihut.
Janë luajtur të martën takimet e para të dy prej çifteve të para të turit të 16-shes, që kanë shënuar edhe kthimin në fushën e blertë të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontintit, Ligës së Kampioneve. Dhe në fushën e blertë kanë zbritur 14-herë “kampionia” e Evropës, Reali i Madridit, dhe kampionia në fuqi e kontinentit, Mançester Siti, që nuk kanë gabuar në ndeshjet e para, edhe pse kanë luajtur në fushë të huaj, përkatësisht ndaj FC Kopehagës dhe Lajpcigut.
Kështu, në Danimarkë, Mançester Siti ka kaluar i pari në epërsi që në minutën e 10-të, me anë të De Bryjnes dhe, ndonëse vendasit do të barazojnë në të 34-tën me anë të Matsonit, Bernando Silva do ta çojë skuadrën e Guardiolës në epërsi në pushimin e ndeshjes, me golin e realizuar në minutën e parë shtesë. Pjesa e dytë nuk do të dhurojë gol në 45 minutat e rregullta të saj, por në fundin e minutës së fundit shtesë, asaj të 3-të, Fil Foden do të gjejë edhe një tjetër gol për Mançester Sitin.
Kampionia në fuqi e Evropës mposht kështu FC Kopenhagën 3-1 dhe merr një epërsi të kënaqshme për ndeshjen e kthimit në Angli. Ndërkaq, në Gjermani, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa ajo e dyta nis praktikisht me gol, pasi Brahim Diaz do të finalizojë bukur një aksion të madrilevë, duke e kaluar kështu Realin në epërsi në minutën e 48-të. Pjesa e dytë, edhe pse ka qenë e luftuar dhe me raste për shënim, nuk ka sjellë gola të tjerë dhe Reali i Madridit mposht Lajpcigun 1-0.