AlbanianSport.com 13/02/2024 18:25
ASNN – Kombëtarja përgatitet për paraeliminatoret e Botërorit 2027, ja lista e basketbollistëve të grumbulluar. Kështu, kombëtarja e basketbollit për meshkuj përgatitet për aventurën e saj në fazën paraeliminatore të Botërorit të pas dy viteve. Shqipëria e drejtuar tashmë nga trajneri Erkand Karaj, ndodhet në grup bashkë me Armeninë dhe Austrinë dhe do të luhet me sistem vajtje-ardhje.
Më 25 shkurt, kuqezinjtë do të luajnë sfidën e parë në grup, atë ndaj Armenisë, ndeshje që zhvillohet në kryeqytetin e vendit, Jerevan. Stafi teknik ka grumbulluar për këtë ndeshje 15 basketbollistë, që do të zhvillojnë një fazë përgatitore nga data 19, deri më 23 gusht, në mjediset e Akademisë Sportive “Goga Basket” në Shijak. Nga kjo listë 3 lojtarë do të largohen për të përcaktuar më pas listën përfundimtare me 12 emra.
Një aventurë e vështirë për kombëtaren kuqezi, që prej vitesh nuk arrin të lërë shumë gjurmë në arenën ndërkombëtare, me disa fitore sporadike. Në këtë turne, Shqipëria do të zhvillojë 4 ndeshje, ku përveç sfidës së 25 shkurtit do të luajë edhe një tjetër më 21 nëntor të këtij viti (me Austrinë në Shqipëri). Ndërsa dy ndeshjet e fundit, ato të kthimit, do të luhen më 20 e 23 shkurt 2025.