AlbanianSport.com 12/02/2024 19:25
ASNN – Ka përfunduar java e gjashtë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Sallës dhe Tirana nuk njeh kufi pasi regjistroi triumfin e radhës, këtë herë në derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit. Në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, bardheblutë fituan me rezultatin e thellë 6-1 ndaj të kuqve, duke konfirmuar sezonin e shkëlqyer që po kalojnë.
Tirana e mbizotëroi takimin që në nisje dhe regjistroi fitoren e dytë të sezonit në derbin e kryeqytetit. Takimi tjetër i javës ishte Flamurtari-Vllaznia. Ndeshja u ndërpre për shkak të incidenteve që ndodhën gjatë kësaj sfide në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të qytetit të Vlorës dhe Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka vendosur për fitoren e Vllaznisë në tavolinë 3-0.
Përsa i përket renditjes, Tirana kryeson me 18 pikë të plota, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e dytë me 7 pikë. Vllaznia është ngjitur në vendin e tretë me 5 pikë, ndërsa Flamurtari ndodhet në vendin e fundit me vetëm 4 pikë. Ndërkohë, këtë javë do të luhen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë në futbollin e sallës, teksa ndeshjet gjysmëfinale do të luhen në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Shijak.
Më 13 shkurt 2024, në këtë sallë sportive do të përballen fillimisht me njëra-tjetrën Vllaznia dhe Partizani, në takimin që nis në ora 19:00, dhe, më pas, Flamurtari dhe Tirana në takimin që nis në ora 21:00. Kështu, të martën në mbrëmje do të vendoset se kush do të shkojë në finalen e Kupës së Shqipërisë në futbollin e sallës, që do të zhvillohet më datë 18 shkurt 2024.
Kampionatit Kombëtar
Futbolli i Sallës
Java e 6-të
Tirana – Partizani 6-1
Flamurtari – Vllaznia 0-3 (aforfe)
Renditja
- Tirana 18 pikë
- Partizani 7 pikë
- Vllaznia 5 pikë
- Flamurtari 4 pikë