AlbanianSport.com 12/02/2024 16:40
ASNN – Garë e fortë për trofeun e parë të vitit. Palestra “Shani Nushi” në Gjakovë do të jetë arenë e garës së fortë për trofeun e parë të vitit 2024 në basketbollin e Kosovës. Prej të martës e deri të shtunën, tetë skuadrat e Superligës do të garojnë për trofeun e Kupës së Kosovës në basketboll. Dhe java e 21-të e kampionatit, e zhvilluar prej të enjtes deri të shtunën, ka dhënë një pasqyrë të përafërt të forcës së skuadrave në prag të turneut të Kupës së Kosovës.
Fituesja në fuqi e Kupës, Trepça, cilësohet si favoritja kryesore. Në Superligë, Trepça ka një vazhdë prej 14 fitoresh, ndërsa udhëheq në tabelë e renditjes, me 40 pikë. Megjithatë, të premten, Trepça arriti fitore shumë të vështirë ndaj “Golden Eagle” Yllit në Palestrën “Minatori”. 78-73 në favor të Trepçës ishte rezultati në fund, ndërsa suharekasit shfaqën dukshëm më tepër energji e përkushtim nën urdhrat e trajnerit të ri, Petar Mijoviq.
Trepçës i munguan disa lojtarë për shkak të dëmtimeve, ndërsa rastin ende nuk e ka fituar përforcimi i ri, qendra Devonte Apson. Ai pritet të ofrojë forcë shtesë nën kosh, ndërsa pritet të debutojë pikërisht në turneun e Kupës. Forma e Yllit sa vjen e rritet, ndërsa suharekasit pretendojnë të shkojnë deri në fund në garën për këtë trofe. Të martën prej orës 17:00, Trepça nuk pritet të ketë telashe ndaj Istogut në çerekfinalen e parë.
Ndeshje e fortë pritet të jetë ajo mes Yllit dhe Vëllaznimit, që luhet të të martën, duke nisur nga ora 20:00. Vëllaznimi synon suksesin, por nuk ka dhënë shenja të mira të shtunën ndaj Prishtinës. Disa prej përforcimeve të fundit nuk “ndezën”, dhe mbetet të shihet nëse përkrahja e fuqishme nga tribunat do t’u mjaftojë gjakovarëve. Dy çerekfinalet tjera janë në program të mërkurën. Duke nisur nga ora 17:00, takohen Peja e Bashkimi.
Këto dy skuadra u takuan edhe në kuadër të javës së fundit në Superligë, teksa në Prizren, Bashkimi fitoi me rezultatin 84-78. Kështu që pritet ndeshje e fortë dhe dramë deri në fund. Të dy skuadrat shohin rastin e tyre për të kaluar në gjysmëfinale. Çerekfinalja e fundit është mes Sigal Prishtinës dhe “Proton Cable” Prizrenit, të mërkurën nga ora 20:00. Prishtina së fundi ka prezantuar dy ardhje të reja, që sipas klubit janë shumë cilësore.
Kështu që “fytyra” e Prishtinës mund të ndryshojë në turneun e Kupës, ku Prishtina, si zakonisht, synon trofeun. Prizreni është jofavorit, por vlerësohet ekip që mund të befasojë secilin rival. Ndeshjet gjysmëfinale janë të enjten, duke nisur nga ora 17:00 dhe ora 20:00. Finalja është të shtunën, më 17 shkurt 2024. Në Gjakovë pritet të ketë festë basketbolli. Priten edhe tifozët e skuadrave. Shpresohet që tifozët të kontribuojnë në spektakël e jo të bëhen protagonistë me incidente.