AlbanianSport.com 12/02/2024 15:45
ASNN – Manaj, Mitaj, Muçolli e Kristian Shpendi gjejnë rrjetën. Cikalleshi & Uzuni, vendimtarë me pasime për gol. Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një tjetër fundjavë pozitive, teksa një pjesë e tyre ishin vendimtarë me gola dhe pasime për gol. Kështu, Myrto Uzuni e nisi si titullar ndeshjen e Granadës ndaj Barcelonës. Sfida përfundoi në barazim me rezultatin 3-3 dhe sulmuesi kuqezi bëri një paraqitje shumë të mirë, teksa dhuroi pasimin e golit të dytë për shokun e tij të skuadrës.
Në kampionatin turk vijojnë të shkëlqejnë Sokol Cikalleshi dhe Rei Manaj. Të dy ishin protagonistë në fitoret e skuadrave të tyre. Konjaspori triumfoi 1-0 ndaj Ankaragyçysë dhe sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi, dha pasimin e fundit për golin e fitores në minutën e 38-të të pjesës së parë. Ndërsa Rey Manaj realizoi një “perlë” të vërtetë nga goditja e dënimit, në sfidën e Sivasporit ndaj Rizesporit.
Ndeshja përfundoi 1-0 dhe Manaj i dhuroi 3 pikët skuadrës së tij, teksa për të ishte goli i 12-të në kampionatin turk. Tek goli u rikthye edhe Arbnor Muçolli, teksa sulmuesi kuqezi shndërroi në gol një 11-metërsh në fitoren e skuadrës së tij, Goteborgut, 3-1 ndaj Brondbit. Kurse Mario Mitaj realizoi sërish për Lokomotivën e Moskës në sfidën miqësore ndaj Torpedos së Moskës.
Mbrojtësi kuqezi e nisi si titullar takimin dhe shënoi golin e dytë në fitoren 2-0Ndërkaq, nuk ka të ndalur sulmuesi i Shpresave kuqezi, Kristian Shpendi, i cili nuk po njeh kufinj, teksa gjeti sërish rrugën e rrjetës në sfidën e Çezenës në fushë të huaj ndaj Riminit. Golashënuesi më i mirë i kampionatit në Serinë C të Italisë realizoi golin e dytë në fitoren 2-0 të skuadrës së tij.
Një sezon fantastik ky për Kristian Shpendin që tani numëron 15 gola në kampionat. Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Ylber Ramadani, Klaus Gjasula, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Keidi Bare dhe Armando Broja.