AlbanianSport.com 10/02/2024 19:05
ASNN – Në takimin e parë të javës së 23-të të Kategorisë Superiore, të luajtur të shtunën pasdreke, Laçi ka ndalur Egnatian kryesuese në një barazim pa gola, falë edhe pritjes së një 11-metërshi nga portieri Dajsinani në minutën e 64-t. Për skuadrën e Mirel Josës është rezultati i 8-të pozitiv radhazi, prej të cilave 3 të fundit janë sidoqoftë barazime. Egnatia vuajti në krijimin e rasteve, pasi Laçi u mbyll mjaft mirë, por pa menduar thjesht për të marrë një pikë.
Pas takimit të parë, të luajtur pasdreke, të shtunën në mbrëmje janë luajtur dy takime të tjetra, të vlefshme për javën e 23-të të Superiores dhe Dinamo ka korrur një fitore të rëndësishme mbrëmjen e kësaj të shtune, teksa në Stadiumin “Niko Dovana”, të Durrësit ka mundur me përmbysje, 2-1, Partizanin. Goli i parë i sfidës erdhi nga Kristian Mba, që në minutën e 10-të të sfidës.
Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës vjen edhe kundërpërgjigjja e skuadrës së trajnerit Mehmeti, e cila me dy goka, në minutat 56 dhe 87, fillimisht me anë të Luis Kaçorrit e më pas me anë të Lorenco Vilës, triumfon në duelin e 3-të të këtij kampionati me të kuqtë. Ndërkaq, edhe Vllaznia kanë arritur të triumfojë ndaj Teutës, me të njëjtin rezultat, 201, duke e çuar në 9 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje.
Golat e Ildi Grudës e Mehdi Çobës, në minutat 29 e 83, e kanë bërë kështu të pavlefshëm atë e shënuar për Teutën nga 17-vjeçari, Ergis Arifi, në minutën e 72-të të sfidës, e duke ngjitur akoma më shumë në renditje skuadrën shkodrane, që tanimë është mes katër më të mirave të këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Kurse Teuta zhytet më thellë në krizë.