AlbanianSport.com 10/02/2024 17:20
ASNN – Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) organizon seminarin teorik e teste fizike me gjyqtaret dhe ndhihmësgjyqtaret femra. Ky proces po kryhet në prag të rifillimit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave, i cili do të nisë me pjesën e dytë të sezonit fundjavën e ardhshme. Gjyqtaret dhe ndihmësgjyqtare shfaqën një formë shumë të mirë dhe i kaluan me sukses testet fizike, ndërsa më pas kanë ndjekur seminarin teorik.
Aty ku janë diskutuar e analizuar edhe situata të ndryshme të ndodhura përgjatë fazës së parë të kampionatit. Erinda Kume, e cila mban stemën e FIFA-s si gjyqtare anësore, duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit, i vlerësoi testet fizike dhe seminarin teorik, duke shtuar se puna e bërë me përgatitësin atletik ka sjellë rezultate shumë të mira. “Jemi në prag të rifillimit të pjesës së dytë të sezonit të kampionatit të femrave”, – tha ajo fillimisht.
“Sapo kemi nisur me testimet fizke që po shkojnë shumë mirë, – ka vijuar Kume. – Gjithashtu është punuar shumë, FSHF ka caktuar përgatitës atletik që ka ndihmuar në ecurinë fizike të vajzave. Ne do të vazhdojmë me seminarin teorik si edhe video-testin.” Pas suksesit të arritur nga Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu duke gjykuar në një takim të Ligës së Kampioneve të futbollit të femrave, Erinda Kume zbuloi ndeshjen e radhës që do të gjykojnë në arenën ndërkombëtare.
Më datë 23 shkurt sërish Emanuela Rusta si gjyqtare kryesore, së bashku me Koleta Prengën dhe Erinda Kumen si gjyqtare anësore, do të gjykojnë në ndeshjen miqësore për femra, Itali-Irlandë. “Përveç ndeshjes që gjykoi Emanuela së bashku me Edjenën, ne kemi një ndeshje miqësore në Itali, më datë 23 shkurt. Italia do të përballet me Irlandën dhe ndeshjen do ta gjykojë Emanuela Rusta, unë dhe Koleta Prenga”, – përfundoi Erinda Kume.