Gjergj Vyshka 16.12.2014 13:25
Ndryshe nga herët e tjera, Federata Shqiptare e Alpinizimit ka vendosur që analizën e saj vjetore këtë vit ta bëntë në Elbasan. Ka ndodhur kjo sepse, të paktën dhe sipas informacionit të shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule, shoqata alpino-turistike Elbasani kishte 5-vjetorin e themelimit të saj, si dhe ishte 50-vjetori i këtij sporti në këtë qytet. Në këtë analizë vjetore, e cila është bërë në ambjentet e hotel “Imperialit”, përveç anëtarëve të Federatës kanë qenë të ftuar dhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Në këtë asamble është bërë dhe pranimi i shoqatës më të re të kësaj Federate, asaj të Kukësit. Ndërkohë që është diskutuar për situatën e përgjithshme të sportit të alpinizmit në Shqipëri, për veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë vitit 2014, buxhetit të Federatës për vitin 2014 për mënyrën e përdorimit të saj, si dhe për projekt-buxhetin e vitit 2015. Një pikë e rëndësishme në diskutimin në rendin e ditës ka qenë takimet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë në kuadrin e pushtimit të shtatë majave më të larta të botës.
Analiza vjetore ka nxjerrë dhe objektivat për 2015-ën, ndërkohë që më pas është vazhduar me arritjet e shoqatës alpino-turistike “Elbasani”. Në të janë mbajtur disa referate për historinë e alpinizmit në Elbasan, ndërsa aktivitetin e ka nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, që më parë kishte organizuar në Bashki një pritje për të gjithë drejtuesit e klubeve dhe atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Një pikë e rëndësishme e kësaj analize vjetore të alpinizmit ka qenë dhe vajtja në Gjinar e ngjitja në Malin e Bukanikut në lartësinë 1,850 metra. “Me kujdesin e kryetarit të Komunës së Gjinarit, Kristaq Shqau, kjo veprimtari në Bukanik i ngjau një festivalit të turizimit malor në të cilën morën pjesë 300 veta”, – ka përfunduar sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule.