AlbanianSport.com 08/02/2024 17:55
ASNN – “Vllaznia, e sigurt drejt finales së sezonit.” Ish-futbollisti i njohur shkodran, Fatmir Lugji, analizon kuqeblutë për RTSH Sport. Vllaznia përballet të shtunën me Teutën, në një sfidë ku, për ish-futbollistin shkodran, Fatmir Lugji, nuk duhet diskutuar fitorja. Duke vlerësuar punën e bërë dhe ecurinë e derimëtanishme të kuqebluve, Lugji ngre edhe shqetësimin për çështjen e gjykimit.
Vllaznia do të përballet me Teutën ditën e shtunë për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore dhe sfida do të zhvillohet në Stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 17:00. Nje ndeshje në të cilën ekipet vijnë me objektiva të ndryshëm, por sigurisht duan patjetër 3 pikët. Vllaznia dëshiron fitoren që të afrohet me vendin e dytë që mbahet nga Partizani, që ka 3 pikë më shumë se shkodranët.
Në krahun tjetër, Teuta nëse nuk merr dot 3 pikët, ia vështirëson vetes punën për objektivin “mbijetesë”. Durrsakët renditen në vendin e 9-të në kuotën e 21 pikëve, dy më shumë se Kukësi i vendit të fundit. Por, edhe pse akutualisht, Teuta po kalon një formë shumë më të dobët se Vllaznia, durrsakët mund të jenë të “favorizuar” nga e shkuara. Kjo për shkak të statistikave që këto dy ekipe me traditë kanë në Superiore.
Në të kaluarën, në 47 ndeshje të zhvilluara mes tyre, Vllaznia ka fituar 15, në barazim kanë përfunduar 14 sfida, ndërsa Teuta ka triumfuar në plot 18 raste. Statistika që ndoshta mund t’i mbeten vetëm të shkuarës, por mund të jenë një shtysë plus që të besuarit e trajnerit Edi Martini të motivohen për të mos dalë pa pikë nga vizita e vështirë shkodrane.