AlbanianSport.com 07/02/2024 14:30
ASNN – Java e 23-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të luhet të shtunën dhe të dielën. Takimi i parë i kësaj jave do të jetë Egnatia-Laçi, sfidë që do të zhvillohet në Stadiumin “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 13:30. Të dyja skuadrat vijnë nga një moment i mirë në kampionat dhe do të kërkojnë fitoren në këtë sfidë.
Laçi numëron 7 ndeshje pa humbje, ku ka regjistruar sidoqoftë 5 barazime dhe dy fitore. Ndërsa Egnatia, pas 3 fitoreve radhazi, barazoi në sfidën e fundit në Stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet me Partizanin. Të shtunën do të luhen edhe dy takime të tjera, të dyja duke nisur nga ora 17:00. Kështu, në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia do të presë Teutën.
Shkodranët synojnë të rikthehen te fitorja pas dy barazimeve radhazi, ndërsa durrsakët kërkojnë vazhdimësinë pasi siguruan fitoren e parë për këtë vit në kampionat ndaj Skënderbeut. Në të njëjtën orë do të luhet edhe një tjetër takim që premton spektakël, Dinamo City-Partizani. Djemtë e trajnerit Dritan Mehmeti po kalojnë një moment të mirë në kampionat pasi kanë triumfuar në dy sfidat e fundit.
Ndërsa “të kuqtë” e homologut Orges Shehi kanë lëshuar terren me kreun dhe synojnë të rikthehen te fitorja. Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave. Të dyja takimet do të luhen duke nisur nga ora 17:00. Tirana do të përballet me Erzenin në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet. Bardheblutë u rikthyen te fitorja dhe do të kërkojnë triumfin e radhës.
Ndërsa Erzeni pas tre humbjeve radhazi në kampionat do të synojë të marrë një rezultat pozitiv nga kjo sfidë. Takimi tjetër, i cili do të luhet po duke nisur nga ora 17:00, është Skënderbeu-Kukësi. Në Korçë, vendasit synojnë të hedhin pas disfatën e fundit me Teutën dhe do të kërkojnë fitoren në shtëpi, ndërsa Kukësi i vendit të fundit do të tentojë të rikthehet te rezultatet pozitive pas 4 humbjeve radhazi në Kategorinë Superiore.