AlbanianSport.com 06/02/2024 19:55
ASNN – Veterani pranon ofertën e klubit të Kategorisë së Dytë, do të ndihmohet nga turkja Aktash. Trajneri i njohur, Stavri Nica, ka marrë drejtimin e klubit të Shkumbinit, klubit që ka synime për t’u rikthyer sërish midis më të mirëve të futbollit shqiptar, aty ku militonte vite më parë. Shkumbini mban hëpërhë vendin e 4-t në renditjen e grupit B të Kategorisë së Dytë, me 19 pikë të marra në 10 javët e fazës së parë.
Nuk ka vonuar shumë dhe Stavri Nica ka gjetur një stol të ri në futbollin shqiptar. Por për këtë, veteranit i është dashur në zbresë dy shkallë, në nivelin e 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë e Dytë. Ashtu siç ndodhi në fillimin e sezonit, kur u largua nga Laçi dhe pak kohë me vonë u emërua te Kukësi, Stavri Nica ka gjetur shpejt një sistemim të ri pasi u largua nga drejtimi i verilindorëve.
Trajneri i njohur ka marrë drejtimin e klubit të Shkumbinit, i cili në ditët e fundit ka qenë nën urdhrat e trajneres turke, Ilknur Aktash. Drejtuesit e klubit peqinas kanë arritur marrëveshjen me trajnerin veteran, i cili ka pranuar ofertën për t’u ulur në stolin e klubit të Kategorisë së Dytë dhe që ka synime për t’u rikthyer sërish midis më të mirëve të futbollit shqiptar, aty ku militonte vite më parë.
Nica pritet të ketë ndihmëse në këtë aventurë të radhës pikërisht turke Aktash, e cila gjatë këtij sezoni ka qenë pjesë e stafit teknik të klubit peqinase dhe, edhe pse për pak ditë, hyri në historinë e futbollit shqiptar si femra e parë që drejton një skuadër meshkujsh. Shkumbini mban hëpërhë vendin e 4-t në renditjen e grupit B të Kategorisë së Dytë, me 19 pikë të marra në 10 javët e fazës së parë, 7 pikë pas Pogradecit të vendit të parë, që ngjitet automatikisht në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, ndonëse mbetet në vendet e “play-off”-it për t’u ngjitur një nivel më lart.