AlbanianSport.com 06/02/2024 18:05
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ishte i ftuar në meshën e shenjtë të zhvilluar në Katedralen e “Shën Shtjefnit” të Shkodrës. Kjo meshë u mbajt në prag të nisjes së Kampionatit të 16-të Evropian të Minifutbollit mes priftërinjve, që do të zhvillohet në Shkodër nga data 5, deri më 9 shkurt 2024. Duke u ndalur tek ky kampionat që zhvillohet në Shkodër, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se ky turne sportiv është një mundësi e mirë për të shkëmbyer pëvojat dhe për të ndarë traditat dhe vlerat më të mira të çdo vendi.
“Ju do të nisni një veprimtari të re futbollistike, – ka thënë ai fillimisht. – Kjo lidhje me futbollin, nuk është një gjë e re për ju, teksa kampionatin e parë e keni zhvilluar në vitin 2006. Personalisht u gëzova shumë kur mësova, se këtë vit Kampionati i 16-të Evropian i Minifutbollit mes priftërinjve do të zhvillohej në Shkodër. Në emrin dhe të gjithë komunitetit të futbollit dua t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri të 17 skuadrave pjesëmarrëse, të 224 pjesëmarrësve nga vende si Kroacia, Italia, Republika Çeke, Bjellorusia, Mali i Zi, Sllovakia, Rumania, Hungaria, Serbia, Kazakistani, Portugalia, Austria, Sllovenia, Kosova, Polonia dhe Bosnjë-Hercegovina.”
“Ky nuk është thjesht dhe vetëm një turne sportiv, nuk është thjeshtë një garë, por njëkohësisht edhe një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të ndarë me njëri-tjetrin përvojat kulturore, fetare, traditat dhe vlerat më të mira që çdo vend përfaqëson. Ju garantoj se, ashtu si edhe deri më tani, do të keni mbështetjen e institucionit të futbollit shqiptar në çdo hapin tuajin”, – shtoi Duka, teksa e vuri theksin tek fuqia që futbolli ka për përçuar mesazhe pozitive dhe solidariteti. “Futbolli, duke qenë sporti më popullor në botë, ka një forcë të jashtëzakonshme dhe ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm te njerëzit”, – ka thënë ai.
“Kjo e bën atë një mundësi të shkëlqyer për të përçuar mesazhe pozitive tek njerëzimi, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. – Dua të citoj fjalët shumë të rëndësishme që Papa Gjon Pali ka thënë në vitin 2000 në meshën e organizuar në stadiumin “Olimpik” të Romës, përpara ndeshjes historike: Italia kundër përfaqësueses së Botës, e quajtur “Partita del Cuore”: “Kjo “ndeshje e zemrës” ju inkurajon miq të kombeve dhe të kulturave të ndryshme, të njiheni më mirë dhe të përparoni në rrugën e respektit dhe vlerësimit të ndërsjelltë.”
“Në këtë garë miqësore, mbi të gjitha le të fitojë solidariteti dhe paqja. Le të përhapet mesazhi juaj i shpresës nga ky stadium: Futbolli mund të kontribuojë në ndërtimin e paqes”. Prandaj hu uroj suksese në aktivitetin tuaj dhe ju inkurajoj, që të vazhdoni të qëndroni gjithmonë pranë futbollit. Papa Françesku e ka deklaruar se është një admirues i madh i kësaj loje magjike. Por unë besoj se edhe I Madhi Zot atje lart, e ka bekuar këtë lojë të mrekullueshme, që lumturon njerëzimin. Ndaj i ka dhënë kaq shumë popullaritet dhe forcë”, – ka përfunduar Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në fjalën e tij gjatë meshës.