AlbanianSport.com 16.12.2014 07:55
ASNN – Lushnja, ashtu sikurse të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë në zonën e Jugut, nuk ka pasur shumë kohë për të festuar pas asaj fitoreje dramatike të shtunën në “Roza Haxhiu”, teksa përmbysi disavantazhin 0-2 të Bylisit në 3-2.
Tashmë e mërkura rezervon një tjetër ndeshje të rëndësishme për verdhejeshilët, sepse do të udhëtojnë drejt Pogradecit, ndërsa sipas tyre në atë takim luhet kreu. Të paktën në faqen e “Facebook”-ut të KF Lushnjës shkruhet: “Nuk ka kohë për pushim”.
“Të mërkurën luajmë ndeshjen e parafundit për këtë vit, – vijojnë lushnjarët më tej. – Një fitore në Pogradec dhe rruga për Superiore bëhet më e thjeshtë. Gjithsesi mungesa më e madhe në këtë sfidë është e kapiten Çelës . Të mërkurën, Pogradeci- Lushnja .”
“Një ndeshje që luhet për kreun”, – kanë përfunduar lushnjarët. Në këto kushte, djemtë e Banos kërkojnë një tjetër sukses për të qëndruar sa më gjatë në kreun e renditjes së grupit të Jugut dhe për të arritur më pas rikthimin në Superiore.