AlbanianSport.com 04/02/2024 15:20
ASNN – Me dy takimet e luajtura të dielën pasdreke, është mbyllur java e 22-të e Kategorisë Superiore. Laçi dhe Vllaznia kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, ndërsa Dinamo ka mposhtur Erzenin me rezultatin 4-0, me nga dy gola për secilën pjesë loje.
Ka përfunduar kështu java e 22-të e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore. Kjo javë ngriti siparin të shtunën me sfidën Kukësi-Tirana, e cila u zhvillua në Stadiumin “Kukës Arena”. Bardheblutë u rikthyen te fitorja pasi mundën Kukësin me rezultatin 2-3.
Në të njëjtën ditë u luajtën edhe dy sfida të tjera, Partizani-Egnatia dhe Teuta-Skënderbeu. Supersfida e javës u zhvillua në Stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet, midis Partizanit dhe Egnatias. Ndeshja përfundoi në barazim me rezultatin 1-1, me të kuqtë që shmangën humbjen në fund.
Po të shtunën, Teuta arriti një fitore spektakolare pasi mundi Skënderbeun në Stadiumin “Niko Dovana” me rezultatin e thellë 3-0. Të dielën u luajtën edhe dy sfidat e fundit të kësaj jave. Dinamo regjistroi triumfin e dytë radhazi në kampionat pasi mundi Erzenin me rezultatin e thellë 4-0. Ndërsa ndeshja Laçi- Vllaznia, u mbyll në barazim 1-1.