AlbanianSport.com 03/02/2024 12:55
ASNN – Para ndeshjes me Erzenin, që luhet të dielën në stadiumin e Rrogozhinës dhe është e vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë Superiore, ka dalë edhe trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti. “Futbolli është i paparashikueshëm, prandaj dhe është i bukur, – ka thënë ai fillimisht. – Të jep emocione të jashtëzakonshme. Skuadra futet në presion kur pëson gol, ndoshta është kthyer në një problem kronik në aspektin psikologjik.”
“Skuadra beson shumë te cilësitë e saj, por e ndjen presionin e rezultatit, – ka vijuar ai. -Kur pësojmë gol humbasim besimin dhe këtu po punojmë fort. Shpresojmë që të jemi më të qetë dhe të japim më tepër. Dinamo podhon lojë, shkojmë edhe 2-0, si me Tiranën dhe Kukësin. Nuk duhet ta shkojmë në ato situata, që ta dorëzojmë ndeshjen. Ngarkesa psikologjike rëndon te të gjithë lojtarët. Na duhet të kemi shumë më tepër entuzizëm dhe besim në vetveve, që të shprehim më mira vlerat tona.”
Trajneri ka shprehur sidoqoftë besimin tek lojtarët e tij, duke thënë: “Skuadra ka forcë karakteri. Mënyra si i kemi pësuar golat që na kanë futur në panik janë gabime individuale. Nga goditjet standarde pësojmë gola dhe kemi punuar në këtë drejtim. Na duhet të menaxhojmë më mirë epërsinë.” Më tej, ai ka pohuar se para Erzenit, Dinamo ka disa shqetësime të vogla me Smaçin, që do të konstatohet bashkë me stafin mjekësor.
“Erzeni është skuadër e vështirë, me elementë cilësorë që mund të bëjnë dallimin, – ka thënë trajneri i Dinamos. – E kemi vlerësuar, sepse ka bërë mirë edhe ndaj skuadrave pretendente, si Egnatia dhe Partizani. Mund të kemi ndryshime të vogla, do t’i përshtatemi kundërshtarit. Është pozitiv fakti që e kemi grupin të plotë këtë herë, sepse ke mundësi të bësh edhe zëvendësime”, – ka përfunduar Mehmeti, duke folur në prag të ndeshjes me shijakasit.