AlbanianSport.com 02/02/2024 21:05
ASNN – Armando Broja u zyrtarizua vonë pas mesnate tek klubi anglez i Fulhamit, pasi sulmuesi shqiptar nënshkroi kontratën e huazimit deri në fund të sezonit. Objektivi i Brojës është të ketë sa më shumë minuta në këmbët e tij, me synimin për të qenë pjesë e listës së skuadrës të kombëtares shqiptare për në “Euro 2024”.
Për Brojën, në orët e fundit të merkatos, u përfil edhe për interesimin nga Milani dhe Atletiko e Madridit, por sulmuesi kuqezi vendosi të zgjidhte Fulham për shkak se ky klub do t’i japë më shumë minuta loje. Fulham bëri prezantimin e sulmuesit kuqezi, duke e përfshirë në një video tepër të bukur, ku shihet qartë Broja me fanellën numër 9.
Kështu, futbollisti kuqezi do të jetë pjesë e Fulhamit të paktën deri në përfundimin e sezonit aktual. Fulham gjeti akordin me Çelsin, përkundër një vlere të mundshme prej 4 milionë stërlinash, për ta huazuar sulmuesin. Vetë 22-vjeçari shqiptar foli për faqen zyrtare të Fulhamit, ku theksoi se mezi pret të zbres në fushë.
Ndër të tjera, sulmuesi shtoi se ndjehet i nderuar dhe i emocionuar për faktin se i është bashkuar një klubi si Fulhami. “Është një ndjesi e mrekullueshme, – u shpreh Broja për faqen zyrtare të Fulhamut. – Jam i lumtur që ndodhem këtu, mezi pres të filloj, të takoj lojtarët dhe trajnerin.”
“Tifozët luajnë gjithmonë një rol të madh dhe mezi pres të shkoj në Krejvën Kotexh” dhe t’i takoj të gjithë, – ka vijuar shtatlarti shqiptar, që sidoqoftë mbetet në Londër. – Do të punoj shumë për ekipin, të krijoj një lidhje të fortë. Jam me të vërtetë i nderuar dhe i emocionuar që ndodhem këtu.”
Broja pritet të debutojë me Fulham në ndeshjen e datës 3 shkurt 2024, në fushë të huaj ndaj Bërnlit. Sulmuesi shqiptar në këtë aventurë me Fulham do të mbajë numrin “9” në fanellë, ndërsa vjen duke shpresuar për më tepër hapësirë dhe minuta, për të synuar edhe vendin me fanellën kuqezi në Evropianin “Gjermani 2024”.
https://x.com/FulhamFC/status/1753213894393250102?s=20
https://www.facebook.com/reel/1763998694103883