AlbanianSport.com 15.12.2014 21:20
Katrahurë në Rrogozhinë, goditet gjyqtari dhe lojtarët. Tahiri dhe Gjuzi të Egnatias grushta dhe shqelma ndaj lojtarëve miq në përfundim të ndeshjes. Qamo i Përmeti s’ka qenë dakord me kartonin e kuq e gjuan me kokë kryesorin Gjeçi. Ka degjeneruar gjithçka në dhunë në Rrogozhinë, pasi ndeshja Egnatia-Përmeti nuk ka pasur lidhje me futbollin e luajtur.
Është fituar nga miqtë me golin e Dines në minutën e 16-të, ndërsa nga xhepi i gjyqtarit tiranas Amarildo Gjeçi është nxjerrë tre herë kartoni i kuq, më parë për përmetarët Mihali e Qamo, e më pas dhe për lojtarin vendës Vrapi. Mirëpo vendimi i Gjeçit ndaj Qamos, të cilin e ka ndëshkuar në minutën e 73-të me karton të kuq pas dy të verdhave është kthyer në agresion për “bilbilin” kryeqytetas.
Sipas burimeve të mirëinformuara, Qamo e ka goditur me kokë nga mbrapa befas kryesorin Gjeçi, ndërsa e ka gërvishtur pak në fytyrë. Por nuk ka përfunduar, sepse në fundin e ndeshjes, Tahiri dhe Gjuzi të Egnatias janë bërë iniciatorët e një sulmit të përgjithshëm ndaj përmetarëve. Ka patur grushte dhe shqelma për miqtë në përfundim të ndeshjes.
Ndërsa ndërhyrja e shpejtë e policisë ka shmangur keqësimin e situatës, e cila mund të kishte dhe pasoja më të rënda. Kësisoj kthehet dhuna në futbollin shqiptar, ndërsa në Rrogozhinë, Egnatia-Përmeti është kthyer në katrahurë. Në fund të ndeshjes ka dhënë dorëheqjen dhe trajneri i Egnatias, Erind Tosku.