AlbanianSport.com 02/02/2024 16:55
ASNN – Presidenti i FSHV-së merr drejtimin e organizmit ballkanik të rrjetës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, është zgjedhur të premten në postin e Presidentit të Federatave Ballkanike të Volejbollit (BVA). Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit nga Sofia, Pëllumbi e ka cilësuar zgjedhjen e tij si një vlerësim për volejbollin shqiptar dhe hapat që janë bërë përpara.
Është mbajtur në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofie, Asambleja e Përgjithshme e 15-të e Federatave Ballkanike të Volejbollit (BVA) këtë vit, aty ku Federata Shqiptare e Volejbollit u përfaqësua me Presidentin e Federatës e saj, Erlind Pëllumbi, që shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm, Ervis Dosti, dhe Kryetari Komisionit të Garave Konalsi Gjoka.
Të 10 Presidentët e Federatave të Ballkanit të pranishëm në këtë Asamble aprovuan me unanimitet që Pëllumbi të jetë President i BVA. Në një kohë të shkurtër BVA i beson për herë të dytë drejtimin e Presidencës, Federatës Shqiptare të Volejbollit, gjë që për Pëllumbin, është një vlerësim i madh. “Është nder që në një periudhë shumë të shkurtër të marrësh presidencën e Federatave Ballkanike”, – ka thënë ai fillimisht.
“Është një nder që i bëhet jo vetëm Federatës Shqiptare të Volejbollit, por edhe të gjithë komunitetit shqiptar, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën në Gadishull. – Do të obligohemi që të jemi konkurrues dhe pjesëmarrës, teksa veprimtaritë ballkanike tashmë janë rutinë në pjesëmarrje dhe organizime, në të cilat neve bëjmë në Shqipëri. Edhe këtë vit ne do të jemi organizatorë të dy evenimenteve për femra.”
“Bëhet fjalë për Kampionatin Ballkanit të dy grupmoshave, të Nën-18 dhe të Nën 20-vjeçareve, që do të mbahen në vendin tonë. Ndaj do të vlerësoja edhe njëherë nderin që i është bërë Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe mua personalisht, duke më besuar, për të dytën herë, drejtimin e BVA-së”, – ka deklaruar Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Kështu, brenda një kohe të shkurtër, BVA-ja i beson për herë të dytë drejtimin e Presidencës, Federatës Shqiptare të Volejbollit. Asamblenë e BVA e përshëndeti edhe Presidenti i Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), Aleksander Boriçiç. Në fund të takimit Presidenti i ri BVA, Erlind Pëllumbi i falënderoi pjesëmarrësit e pranishëm në këtë Asamble për besimin e dhënë.