Gjergj Vyshka 15.12.2014 20:35
Gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë në Vlorë ndezin polemikat, reagon Apolonia. Trajneri veteran: “Në finalet e Kupës së Shqipërisë nuk mund të luhet me dy standarde, por siç ka qenë”. Apolonia është kryesuese e fazës së parë të kampionatit të basketbollit të femrave. Dhe si e tillë, edhe duke e mundur drejtpërsëdrejti Flamurtarin, në ndeshjen e luajtur në Durrës, është pretendente kryesore për fitimin e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, më 17-18 dhjetor në Vlorë. I pari që ka reaguar, edhe pse po kalon një problem shëndetësor, ndërsa nuk duket se do të jetë në krye të ekipit të mërkurën e të enjten në Vlorë, është trajneri i Apolonisë, Astrit Greva.
Sipas tij, e gjithë formula e ndërtuar, aspak në rregull me atë çka është vepruar deri më tani në Kupën e Shqipërisë si për meshkuj, ashtu dhe për femra, është në favor të Flamurtari. “Së pari, – thotë Greva, – unë dhe skuadra ime e kam mbyllur në vendin e parë dhe Flamurtari në vendin e dytë. Atëherë kam telefonuar Sekretarin e Përgjithshëm, Korab Llazani, dhe i kam thënë si do të luhet. Më është përgjigjur që duhet pritur mbyllja e fazës së parë dhe më ka siguruar që finalja do të luhej në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, me përjashtim të gjysmëfinaleve në Vlorë.”
“Mirëpo mësojmë që jo vetëm që do të luhet në Vlorë, por ndryshe nga meshkujt, të cilët fazën finale të Kupës së Shqipërisë e kanë me renditjen e fazës së parë, ne luajmë me sistemin e renditjes të sezonit të kaluar, gjë që nuk është normale, – ka vijuar ai. – Sepse pavarësisht se jemi kryesues, përsëri mbetemi të dytët. Nuk është normale të luhet në Kupën e Shqipërisë me dy standarde, aq më tepër që prej vitesh finalet si për meshkuj, ashtu dhe për femra janë bërë me renditjen e sezonit të kaluar. E gjithë kjo situatë, apo dhe luajtja në Vlorë, është në favor të Flamurtarit. Megjithatë unë besoj tek aftësitë e vajzave të mia”.
E nëse do të ishte ruajtur renditja e sivjetshme, mbi bazën e formulës 1-4 dhe 2-3, do të kishim: Apolonia-Kamza Basket dhe Flamurtari-Tirana. Pra në një farë mënyre Federata Shqiptare e Basketbollit jo vetëm që ka shmangur një finale të parakohshme mes vlonjateve dhe bardhebluve, por dhe duket se duke përplasur Apoloninë me Tiranën kërkon t’i vërë përballë Flamurtarit një kundërshtar më të dobët në finale. Megjithëse Flamurtari, edhe kur ka luajtur në vende të tjera, sërish ka dalë fituese e Kupës së Shqipërisë, sikurse kampionatit dhe Superkupës. Megjithatë fieraket, përmes trajnerit Astrit Greva, kanë këmbëngulur: Po favorizohet Flamurtari.