AlbanianSport.com 01/02/2024 17:40
ASNN – Vjet Kosova ishte përfaqësuar në “Grend Slem”-in e Parisit me 5 xhudistë. Në vitet e mëparshme ishin gjithnjë më pak se 5. Këtë herë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të marrë pjesë me plot 8 xhudistë. “Është e rëndësishme që më shumë xhudistë ta përjetojnë atmosferën e veçantë në “Grend Slem”-in e Parisit, – ka thënë ai për mediat e Prishtinës. – Për herë të parë kemi kaq shumë garues në garën më prestigjioze të sportit tonë.” Ai do të ketë përkrah Majlinda Kelmendin, e cila, si xhudiste e trajnere të xhudos, e njeh “Grend Slem”-in shumë mirë.
E ka fituar 4 herë radhazi medaljen e artë, duke filluar nga viti 2014 e deri në vitin 2017, por edhe një medalje të argjendtë në vitin 2013. Distria Krasniqi i ka fituar dy medalje të arta, dy të argjendta e dy të bronzta. Akil Gjakova ka fituar të artën në vitin 2018, ndërsa Nora Gjakova e fitoi medaljen e bronztë në vitin 2020. Pra, që prej vitit 2013, Kosova ka fituar rregullisht medalje në “Grend Slem”-in e Parisit. Vetëm në vitin 2021, pas Lojërave Olimpike në Tokio, xhudistët nga Kosova nuk morën pjesë në ngjarjen në kryeqendrën franceze.
Atë vit “Grend Slem”-i ishte mbajtur në tetor e jo në kalendarin e zakonshëm në fillim të muajit shkurt. “Parisi është gjithmonë katalizator, – ka thënë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vajzer. – Prodhon nivelin më të lartë të xhudos, të papriturat më të mëdha . Është ngjarje që u tregon gjithë xhudistëve të rinj se çka duhet të synojnë nëse duan të jenë më të mirët. “Grend Slem”-i i Parisit është frymëzim, edukim dhe histori. Ne jemi shumë krenarë për të tashmen e këtij evenimenti dhe po ashtu për trashëgiminë e tij.”
Distria Krasniqi është numri një në kategorinë e peshës trupore deri 52 kilogramë, ndërsa për të artën pritet të luftojë me xhudiste si italiania Odetë Xhufrida, britanikja Çellsi Xhiles dhe izraelitja Gefen Primo. Nora Gjakova renditet e 6-ta në kategorinë e peshës trupore deri 57 kilogramë, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme. Kanadezet Krista Degushi dhe Xhesika Klimkait janë përkatësisht numrat një e dy. Laura Fazliu është numri dy në kategorinë e peshës trupore deri 63 kilogramë, menjëherë pas kanadezes Katerinë Bëshemon-Pinard.
Ikona franceze, Klarise Agbegnenu, vlerësohet me potencial për të shkuar deri në finale në këtë kategori. Xhudistët e tjerë të Kosovës nuk janë midis të renditurve në krye të kategorive të peshave. Në ditën e parë të garave, të premten, do të garojnë Distria, Nora e Flaka Loxha. Dhe medaljet e para për Kosovën në këtë vit mund të vijnë menjëherë të premten.