AlbanianSport.com 30/01/2024 22:35
ASNN – Euroliga e basketboll vijon të dhurojë spektakël. Të martën në mbrëmje erdhi supersfida Real Madrid-Makabi Tel Aviv 106-101. Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të meshkujve, Euroliga, që po vjen në Radio-Televizionin Shqiptar, për të gjithë sportdashësit e basketbollit në vend ofron këtë javë 4 sfida dhe e para ka qenë ajo midis Realit të Madridit dhe Makabit të Tel Avivit.
Siç dihet tashmë, transmetuesi publik ka siguruar të drejtat ekskluzive për 3 sezone të koshit kontinental të meshkujve dhe sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësi të shijojnë 4 prej sfidave më të spikatura këtë javë. Gjithçka ka nisur të martën në mbrëmje, me një përballje spektakolare, siç ishte ajo midis Realit të Madridit dhe Makabit të Tel Avivit, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Kjo përballje, e vlefshme për javën e 24-t të sezonit të rregullt të Euroligës, pa gjiganden spanjolle, kampione në fuqi të kësaj veprimtarie, të vendoste që në fillim autoritetin, duke e fituar thellë 10-minutëshin e parë 29-18. Edhe pse janë izraelitët që e kanë fituar atë të dytin 27-23, janë spanjollë që kanë shkuar në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 7 pikë epërsi, 52-35.
Me daljen nga dhomat e zhveshjeve, dy skuadrat kanë dhuruar një 10-minutësh të 3-të të luftuar, ku miqtë kanë arritur ta ngushtojnë deri në një pikë hendekun e pikëve, por spanjollët kanë reaguar dhe ky fraksion loje është mbyllur në barazpeshë të plotë, 28-28, duke e mbajtur Realin në epërsi me 7 pikë pas një gjysmëore lojë, 80-73. Por, përtej faktit që izraelitët e fitojnë 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit 28-26 dhe çasteve nervoze deri në fundi, Reali i Madridit ia del ta mbrojë fitoren me shifrat 106-101 ndaj Makabit të Tel Avivit.