AlbanianSport.com 29/01/2024 23:00
ASNN – Gjykimi shqiptar vazhdon të ngjisë shkallët në arenën ndërkombëtare dhe së fundmi një lajm i mirë vjen nga UEFA. Për herë të parë në histori, një gjyqtare shqiptare do të drejtojë një ndeshje të Ligës së Kampioneve në futboll për femra. Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka bërë të ditur se Emanuela Rusta do të gjykojë takimin Benfika-Barcelona, e vlefshme për raundin e gjashtë të ndeshjeve në grupe të veprimtarisë më prestigjioze të topkëmbës kontinentale të klubeve për femra.
Ndërkaq, një nga ndihmëset e saj do të jetë po një shqiptare, Edjena Kapxhiu në rolin e gjyqtares anësore. Ndeshja Benfika-Barcelona është programuar të luhet në Seixal të Portugalisë më datë 31 janar, duke nisur nga ora 21:00. “Ky është një tjetër lajm i shkëlqyer dhe një sukses për gjykimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që marrin një vlerësim të tillë nga UEFA. Kjo vërteton edhe një herë rritjen e gjykimit shqiptar dhe përfaqësimin në nivele të larta të skenës së futbollit evropian e botëror”, – thekson njoftimi i FSHF-së.
Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu janë të pajisura me stemën e FIFA-s, ndërsa në qershorin e vitit 2023 Rusta u bë gjyqtare e parë femër e Shqipërisë, e promovuar nga Komiteti i Gjyqtarëve në UEFA, duke u ngjitur në kategorinë e parë. Deri më tani, Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu kanë drejtuar vetëm në sfidat eliminatore, ndërsa të mërkurën në mbrëmje do të shkruajnë historinë duke drejtuar një ndeshje grupi në Ligën e Kampioneve në futboll për femra.