Gjergj Vyshka 15.12.2014 17:35
Apolonia është kryesuese e fazës së parë të kampionatit të basketbollit të femrave. Dhe si e tillë, edhe duke e mundur drejtpërsëdrejti Flamurtarin, në ndeshjen e luajtur në Durrës, është pretendente kryesore për fitimin e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, më 17-18 dhjetor në Vlorë. Në fakt, edhe sipas burimeve të mirinformuara është zgjedhur Vlora nga kryesia e Federatës Shqiptare të Basketbollit edhe sepse ka që më 2008-tën që nuk organizon një veprimtari të tillë, pavarësisht se është “kampione” dhe fituese e Kupës së Shqipërisë në fuqi.
Mirëpo kjo luajtje në Vlorë, apo dhe formula e zgjedhur nga Federata Shqiptare e Basketbollit, paçka se ajo i është bërë e ditur që më 13 tetor 2014, me numër protokolli 122 dhe me firmën e sekretarit të përgjithshëm Korab Llazani, përsëri ka ndezur polemika. I pari që ka reaguar, edhe pse po kalon një problem shëndetësor, ndërsa nuk duket se do të jetë në krye të ekipit të mërkurën e të enjten në Vlorë, është trajneri i Apolonisë, Astrit Greva. Sipas tij, e gjithë formula e ndërtuar, aspak në rregull me atë çka është vepruar deri më tani në Kupën e Shqipërisë si për meshkuj, ashtu dhe për femra, është në favor të Flamurtarit. Por çfarë rregullorja e finaleve të Kupës së Shqipërisë, pikërisht për Final-Four: “Final-Four zhvillohet më 18-20 dhjetor 2014. Në datën 18 dhjetor 2014 do të luhen gjysmëfinalet e meshkujve, më 19 dhjetor gjysmëfinalet e femrave dhe më 20 dhjetor dy ndeshjet finale (fillimisht femrat dhe pastaj meshkujt). Përcaktimi i gjysmëfinaleve të meshkujve bëhet pa short mbështetur në renditjen e ekipeve në përfundim të fazës së parë të kampionatit (sistemi vajtje-ardhje), ndërsa për femra mbështetur në renditjen përfundimtare të sezonit të kaluar 2013-2014, sipas formulës 1-4 dhe 2-3”. Mirëpo këtu nis dhe gërryerja e Apolonisë dhe drejtuesve të saj, pa thënë që mënyrën e të luajturit të gjysmëfinaleve dhe finales së Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra ka dhënë pakënaqësi dhe tek Tirana e Erdal Borovës.