Gjergj Vyshka 15.12.2014 15:20
Në fakt e djeshmja duket edhe si një farë kompensimi për atë që ka ndodhur në fazën e parë. Në çeljen e kampionatit në Kamëz nuk është luajtur, sepse forcat e komisariatit Nr. 5 nuk e kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes. Dhe për rrjedhojë, Veleçiku ka fituar 3-0 në “tavolinë”.
Gjë që rrjedhimisht do të ndodhë dhe tani, ndërsa koplikasit nuk janë paraqitur në “Selman Stërmasi”, e cila ishte fusha e tyre, ndërsa kamzalinjtë e presin trepikëshin në “tavolinë” nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Pa thënë që me hamendësime duke qenë se Veleçiku e Tërbuni janë të të njëjtit qark, Kamza të mërkurën mund të jetë “dorëlëshuar” ndaj pukjanëve.
Aq më tepër që në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar, Kamza ka fituar 6-5 me pukjanët dhe shpëtoi nga rënia në Kategorinë e Dytë. Por Zani nuk e pranon as kompensimin nga koplikasit e as idenë e ndonjë dhurate pa dashje ndaj Tërbunit kryesues në kampionat. “Tani, – thotë i pari i pankinës së Kamzës, – kjo ndeshje që nuk u luajt na ka prishur ciklin javor, sepse ne ishim përgatitur për këtë ndeshje dhe për ta fituar atë.”
“S’ka dyshim që në një farë mënyre na bën të ndihemi më mirë për trepikëshin që do të marrim, si dhe për ta përgatitur atë ndeshje me Tërbunin, të cilën unë shpresoj ta fitojmë, – ka shtuar Zani. – 7 pikë në 3 ndeshje nuk janë pak dhe unë shpresoj të kemi dhe të tjera për të ecur normalisht.” Kësisoj Kamza ka marrë “dhuratë” një trepikësh në “tavolinë”, ndërsa Veleçiku nuk ka pasur para për të qenë “zot shtëpie” në “Selman Stërmasi”.