AlbanianSport.com 25/01/2024 19:55
ASNN – Më 26 janar do të mbahet në Elbasan Kampionati Kombëtar Individual Dimëror i Atletikës shqiptare. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës (FSHA), Taulant Stërmasi, ka shpalosur edhe synimet dhe pritshmëritë për 2024-ën. Për kreun e organizmit që qeveris atletikën në vend, objektivi i radhës janë dy Kampionatët Ballkanikë, për Të Rinj dhe për Të Rritur, ndërsa padyshim, synimi madhor i 2024-ës është Olimpiada “Paris 2024”, aty ku Stërmasi kërkon përfaqësësim si kurrë më parë.
“Gara në Kampionatin Kombëtar Individual Dimëror është edhe garë kualifikuese për ekipin kombëtar, që për të rinjtë, do të jetë për Kampionatin Ballkanik të Atletikës, që do të zhvillohet në Beograd, më 4 shkurt, por do të kemi edhe Kampionatin Ballkanik për Të Rritur, që do të zhvillohet në Stamboll më datën 10 shkurt 2024, – ka sqaruar Stërmasi. – Sigurisht që kemi pretendime për medalje me Luiza Gegën, medalje të artë, por edhe për Franko Burraj dhe le të shpresojmë që edhe Izmir Smajlaj të jetë në formë dhe të jetë gati për garën e parë.”
“Por nuk është se kemi urgjencë për Izmirin, pasi është shumë e rëndësishme të që dy djemtë tanë të jenë pretendentë për të siguruar kualifikimin për në Olimpiadë, duke qenë se Luiza Gega e ka arritur tashmë një gjë të tillë, – ka vijuar ai. – Po tentojmë të gjejmë gara sa më të shumta për Izmirin dhe për Frankon, që të kemi mundësi të shkojmë jo me dy sportistë, siç kemi qenë gjithmonë, por të jemi me 3 dhe të shpresojmë, pse jo, të kemi një të 4-t, që në fakt mund të jetë edhe e papritura e radhës për atletikën tonë”, – ka përfunduar Stërmasi.