AlbanianSport.com 23/01/2024 17:50
ASNN – Për një skuadër të ardhur nga niveli i dytë i volejbollit italian të femrave, jeta nuk ka qenë edhe aq e lehtë për Romën, ku militon edhe volejbollistja e spikatur kuqezi, Erblira Bici. Megjithatë, një sukses e kanë arritur tashmë, sepse duke u renditur të 7-tët në gjysmën e parë të sezonit, skuadra kryeqytetase e shqiptares ka arritur të kualifikoheni për në çerekfinale të Kupës së Italisë për Serinë A1.
Aty ku e pret Vero Volej Milano dhe një mikesha e saj, siç është volejbollistja e jashtëzakonshme, Paola Egonu, me të cilën është shpallur “kampione” e Evropës me klubet pak vite më parë tek Novare. Po sa e vështirë do të jetë ky duel? “Ne e bëmë një gjysmë hapi, sepse siguruam vendin në çerekfinale të Kupës së Italisë dhe ky padyshim është një sukses për një skuadër si ne.”
“Përballë kemi Vero Volej Milanon, një nga skuadrat më të mira për momentin në Itali, teksa është një nga 4 ekipet e para të renditjes në Serinë A1 dhe mjafton të kujtojmë se të 4 këto ekipe italiane janë kualifikuar për më tej edhe në Ligën e Kampioneve të Evropës në volejboll për femra, – ka vijuar Bici. – Normalisht, të luash kundër Paolës, që është një nga lojtaret më të mira të botës, për më tepër që luan në pozicionin tim, nuk është asnjëherë e lehtë.”
“Por është kënaqësi të luash këto ndeshje dhe mjafton të themi se ekipi i Milanos ka shumë për të humbur, ndërsa ai i Romës asgjë, sepse mjaft që erdhëm deri këtu dhe, nëse bëjmë diçka, akoma më mirë”, – ka përfunduar volejbollistja shqiptare e skuadrës së kryeqytetit italian, Erblira Bici. Ndeshja e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Italisë për Serinë A1, midis Vero Volej Milanos dhe Romës luhet të mërkurën, duke nisur nga ora 20:30.