AlbanianSport.com 22/01/2024 20:45
ASNN – Departamenti i Garave në FSHF organizoi sot një takim me klubet e Kategorisë Superiore, ku u diskutua në lidhje me strategjitë që mund të përdoren për të përmirësuar produktin dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit në vend.
Në takimin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” morën pjesën anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho, drejtori i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, Drejtori i Departamentit PR në FSHF, Fatjon Kodra, drejtues dhe zyrtarë të marrëdhënieve me publikun dhe marketingut të klubeve.
Zyrtarët e FSHF-së theksuan objektivin dhe dëshirën për të pasur sa më shumë promovim dhe sa më shumë marketim të kampionatit elitar, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumeve dhe të rritet interesi publik për ndeshjet e Kategorisë Superiore.
Gjithashtu, gjatë takimi u diskutua edhe për strategjinë e përfshirjes së akademive dhe futbollistëve të rinj në skenën e futbollit profesionist si dhe për të ndërtuar strategji edhe për afrimin e vajzave dhe grave në stadium nëpërmjet fëmijëve dhe familjarëve që luajnë futboll.
FSHF raporton se mbledhja vijoi me një diskutim të frytshëm me përfaqësuesit e klubeve që folën për problematikat që hasin në përditshmëri dhe ndanë idetë për mënyrën dhe strategjitë që mund të implemetohen për të përmirësuar vlerën e produktit dhe për të rritur cilësinë e futbollit.