AlbanianSport.com 22/01/2024 16:10
ASNN – Futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet jashtë vendit kanë mbyllur një tjetër javë me paraqitje pozitive me klubet e tyre. Odise Roshi gjeti rrugën e rrjetës në sfidën Gençlerbirligi-Sakarjaspor. Futbollisti kuqezi e nisi si titullar ndeshjen dhe realizoi golin e parë në minutën e 56-të, por, më pas, skuadra e tij, Sakarjaspor pësoi 3 gola dhe e humbi sfidën. Rei Manaj nuk njeh kufi, teksa realizoi dy gola këtë fundjavë në kampionatin turk.
Sulmuesi kuqezi shënoi dy herë nga pika e bardhë e 11-metërshit në barazimin e skuadrës së tij, Sivasporit, me rezultatin 2-2 me Gaziantep. Manaj u tregua i saktë dhe arriti në kuotën e 10 golave në kampionat. Ndërkaq, Qazim Laçi u aktivizua si titullar për Spartën e Pragës në ndeshjen miqësore ndaj Kopenhagës. Skuadra çeke fitoi me rezultatin 2-0 dhe mesfushori kuqezi dha pasimin e fundit për golit të parë.
Sinjale pozitive pati edhe nga futbollistët kuqezi të Kombëtares kuqezi të Nën-21-vjeçarëve, teksa padyshim protagonisti absolut ishte Kristian Shpendi. Sulmuesi kuqezi shënoi 3 gola brenda 7 minutave në pjesën e parë, në sfidën midis Çezenës dhe Pontederës. Në fund skuadra e tij triumfoi 4-0 dhe Kristian Shpendi zhvilloi një ndeshje fantastike. Po në Itali, binjaku tjetër Stiven Shpendi ka lënë gjurmë këtë fundjavë, por në Serinë A.
Në fitoren e Empolit 3-0 ndaj Monzës, Stiven Shpendi, i aktivizuar në pjesën e dytë, dhuroi pasimin e golit të 3-të, që vulosi fitoren spektakolare të Empolit, aty ku titullar ishte edhe mbrojtësi kuqezi Ardian Ismajli. Edhe mbrojtësi i Kombëtares kuqezi të Nën-21-vjeçarëve, Adrian Bajrami ishte protagonist në Portugali me skuadrën e Benfikës B, teksa realizoi golin e fitores për skuadrën iberike në ndeshjen në fushë të huaj ndaj Mafras.
Sfida përfundoi me shifrat 2-1, teksa ishte pikërisht Bajrami që realizoi golin e fitores në minutën e 61-të të pjesës së dytë. Tituallarë me skuadrat e tyre u aktivizuan anembanë kontinentit të vjetër edhe disa lojtarë të tjerë kuqezi Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Frederik Veseli, Ylber Ramadani, Arbnor Muja dhe Sokol Cikalleshi, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Kristjan Asllani, Elseid Hysaj dhe Keidi Bare.