AlbanianSport.com 21/01/2024 22:40
ASNN – Ka veshur për shumë ndeshje fanellën e Kombëtares kuqezi, por, këto 3-4 vitet e fundit, ishte davaritur nga horizonti i tifozëve. Por duket se Odise Roshi po kthehet përsëri në formën e tij më të mirë, duke treguar se ai dëmtim që e la jashtë fushës për një periudhë të gjatë, i përket të kaluarës. Mesfushori kuqezi ka lënë përsëri shenjë të dielën në nivelin e dytë të kampionatit turk të futbollit, me fanellën e Sakariaspor, duke shënuar golin e 3-të të sezonit.
Mesfushori fierak ishte titullar si zakonisht me skuadrën e tij në ndeshjen në fushë të huaj ndaj Gençlerbirligisë. Dhe në minutën e 56-të të sfidës, ishte pikërisht ai i cili finalizoi një kundërsulm për të tundur rrjetën dhe për t’i dhënë epërsinë e përkohshme skuadrës së tij. Me këtë epërsi është mbyllur pjesa e parë, ndërsa në të dytën, vetëm 4 minuta pas barazimit të rezultatit, ekipi i Roshit mbetet me 10 lojtarë pas një ndëshkimi me karton të kuq.
Dhe skuadra vendase e Gençlerbirligisë përfiton nga epërsia numerike, duke gjetur edhe dy gola të tjerë dhe duke e përmbysur kështu rezultatin, teksa e ka fituar ndeshjen me shifrat 3-1. Sakarjaspori mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 32 pikë, një më tepër sesa Gençlerbirligia, por brenda vendeve që të çojnë në “play-off”-in e ngjitjes në Superligën turke. Ky ishte goli i 3-të në 18 ndeshje të luajtura për Roshin, i cili ka dhënë edhe dy pasime per gol.