AlbanianSport.com 19/01/2024 15:35
ASNN – Pas dy takimeve të para të premten, të shtunën pasdreke është luajtur takimi i 3-të i javës së 20-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe Vllaznia ka arritur të triumfojë ndaj Erzenit në fushë të huaj, pasi ishin shkodranët që arritën të shënon golin e vetëm të sfidës në minutën e 87-të. Përballja e zhvilluar në Stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës ka qenë me raste të shumta nga të dyja skuadrat, por shkodranët ishin ata që përfituan.
Në minutën e 87-të të takimit, Vllaznia ekzekuton një goditje këndi nga krahu i majtë dhe portieri i shijakasve, Puja, nuk arrin ta kontrollojë topin siç duhet, duke i shpëtuar nga duart. Stojanoviç, i ndodhur aty pranë, ka reaguar shpejt, duke e çuar topin në rrjetë dhe duke i dhënë shkodranëve 3 pikë tepër të arta. Në fakt, sfida e luajtur në Rrogozhinë ishte e fortë, me shkodranët që ishin ata që provuan më së shumti në pjesën e parë, ku kishin dhe pretendime për 11-metërsh.
Polemika kishte dhe në të dytën, pasi u deshën 7 minuta për të vendosur një rast të diskutueshëm mes Balajt dhe Atandës për një tjetër 11-metërsh, por Ferataj nuk e konsideroi si të tillë. Sidoqoftë, në minutën e 87’ ishte Stojanoviç i cili përfitoi nga një kontroll jo i mirë i topit i portierit Puja dhe e dërgoi topin në rrjetë. Kështu Vllaznia parakalon Tiranën në vendin e 3-të dhe shkon në kuotën e 32 pikëve, duke u shkëputur nga ndjekësit për zonën e “4-shes Finale”, ndërsa Erzeni vazhdon të jetë në vendin e 8-të me 22 pikë, ku rrezikon rënien nga kategoria.