AlbanianSport.com 18/01/2024 18:25
ASNN – Xhudistët elitarë janë duke u përgatitur për garat e para të vitit, ndërsa në mendje e kanë qëllimin e madh, Olimpiadën. Edhe Xhudistët më të mirë të Kosovës nuk bëjnë përjashtim, teksa edhe ata po përgatiten për garat e shumta që i presin, ndërsa fokusin e kanë që kulmin e formës ta arrijnë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Gara e parë serioze e vitit do të jetë ajo “Grand Prix”, Çmimi i Madh në Portugali, që mbahet nga data 26 deri më 28 janar. Kosovën në Portugali e përfaqësojnë Loriana Kuka dhe Shpati Zekaj.
Xhudistët e tjerë elitarë, duke përfshirë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, por edhe Laura Fazliun e Akil Gjakovën, e nisin prej “Grand Slem”-it të Parisit, që mbahet nga data 2, deri më 4 shkurt 2024. Në një analizë që Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) u ka bërë xhudistëve që janë në pozitat e para në renditjen botërore, fokusi ishte edhe te Distria e Laura. Distria është e para në renditjen botërore në kategorinë e peshës trupore deri 52 kg. IJF ka shkruar se Distria është para francezes Amandin Bushard në renditje.
Por Bushard e mposhti xhudisten nga Kosova në turneun “Masters” të vitit të kaluar. “Distria nuk ishte mësuar me medalje të argjendta, por kjo ishte ngjyra e saj në vitin 2023, – ka shkruar IJF-ja. – Nuk ka fituar asnjë ngjarje që nga Parisi, në shkurtin e kaluar. Megjithatë Distria kishte bilanc mbresëlënëse dhe të gjithë ne e dimë që ajo ia del kur ka vërtet rëndësi. Do të jetë vështirë që ajo të mposhtet në Paris.” Megjithatë xhudistja kryesore në 52 kg vazhdon të jetë japonezja Uta Abe, ndonëse ajo nuk është në pozitat kryesore në renditje.
Kalimi i Abes është ndoshta sfida kryesore për Distrian në vitin olimpik. Ndërkaq, Laura Fazliu është e dyta në renditjen e kategorisë së peshës trupore deri 63 kilogramë. Më lart se Laura është vetëm kanadezja Katerinë Bëshemën-Pinard. “Laura Fazliu ka hapur rrugën e saj në kategori dhe ka bërë emër për vete”, – ka shkruar IJF. Federata Ndërkombëtare ka thënë se xhudistet e tjera të Kosovës i kanë treguar Laurës se çka është e mundur të arrihet. “Është 23-vjeçare, me sytë drejt sfidave të reja dhe e palëkundur në detyra”, – shkruan organizmi që qeveris xhudon botërore.
“Deri në Masterin 2023 nuk kishte tituj të mëdhenj, ndonëse mori disa rezultate të rëndësishme. Ajo fitoi të artën në Masters dhe hyri në grupin e më të mirave të kategorisë deri 63 kg. Emri i Laurës mund të përmendet kur parashikohen medaljet olimpike për verën e ardhshme. Ajo do të jetë forcë e madhe në Paris, por asgjë nuk ka të garantuar. Kategoria është shumë e hapur”, përfundon IJF-ja analizën e krerëve të kategorive. Kosova pritet të marrë pjesë me 5 xhudistë në “Parisi 2024” dhe të gjithë do të jenë kandidatë për medalje olimpike.