AlbanianSport.com 17/01/2024 19:20
ASNN – Legjenda gjermane e futbollit, Lotar Mateus, ka vënë në shënjestër sërish Lionel Mesin, këtë herë duke thënë se sulmuesi argjentinas duhej të zgjidhej si futbollisti më i mirë për vitin 2023 nga FIFA. Mateusi ka këmbëngulur se argjentinasi nuk e ka merituar këtë çmim, pasi ka dështuar të fitojë “trofe të mëdhenj” në vitin e shkuar. Mesi edhe një herë është shpallur lojtari më i mirë në planet. Një çmim tjetër individual, “The Best”, ka bërë që 36-vjeçari të vazhdojë të shkruajë historinë e futbollit, edhe pse këtë herë përzgjedhja e tij ka krijuar shumë polemika.
Mesi e frymëzoi përfaqësuesen e Argjentinës drejt triumfit në Botërorin “Katar 2022”, sukses që ia siguroi “Topin e Artë” për herën e 8-të, i cili duket se po vazhdon të ketë ndikim në votimet e tjera për çmime prestigjioze. Të hënën mbrëma në ceremoninë e mbajtur në Londër, në të cilën ai nuk ishte i pranishëm, u shpall lojtari më i mirë për vitin e shkuar nga FIFA. Në fakt, Mesi kishte pikë të njëjta me Erling Ha’alandin e Mançester Sitit, 48, por u shpall më i miri për shkak se ishte votuar më shumë nga kapitenët e përfaqësueseve si zgjedhja e parë.
Megjithatë, ish-kapiteni i Gjermanisë, Mateusi, është i bindur se ky çmim nuk ishte fare i merituar nga Mesi. Për më të mirin e vitit ishte marrë për bazë periudha që nuk kishte të bënte me Kampionatin Botëror, gjatë së cilës Mesi ka qenë te Paris SG-ja dhe ka fituar vetëm titullin e “kampionit” të Francës. “Këtë herë Mesi nuk mund të jetë fitues, – ka thënë Mateusi të martën në një intervistë për “Sky Deutschland”. – Mendoj se ai ishte futbollisti më i mirë i dy dhjetëvjeçarëve të fundit, por këtë herë ai ka qenë te Parisi dhe Majemi dhe nuk ka fituar asnjë trofe të madh apo të rëndësishëm.”
Mateusi, i cili ka fituar Botërorin me Gjermaninë dhe “Topin e Artë” në vitin 1990, ka thënë se Mesi këtë herë nuk duhej të votohet si më i miri, por të anashkalohet. Sipas tij, këtë çmim e ka merituar sulmuesi i Mançester Sitit, Erling Ha’aland, që shkëlqeu me ekipin anglez duke fituar 3 trofe madhorë. “Nëse i shikoni sukseset e mëdha, atëherë nuk ka gjasa të kalohet Mançester Siti dhe Erling Ha’alandi në zgjedhjen e lojtarit më të mirë, – ka thënë futbollisti i njohur gjerman. – Ai i ka fituar trofetë më të rëndësishëm me Siti dhe ka pasur numër mbresëlënës të golave të shënuar.”
“Kjo do të duhej të ishte vendimtare kur zgjidhet lojtari më i mirë dhe më i rëndësishëm, – ka vijuar Mateusi. – E ky lojtar pa pikë dyshimi ishte Erling Ha’alandi.” Pas Mesit e Ha’alandit, në renditje ishte Kilian Mbape dhe kur u përmend emri i sulmuesit të Argjentinës si më i miri, nuk pati shumë duartrokitje prej të pranishmëve. Aktualisht Mesi është në SHBA, ku po përgatitet me Inter Majemin për fillimin e edicionit të ri. Tek kjo skuadër, ai u transferua në verë si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me Paris SG-në. Me Inter Majemin, Lionel Mesi fitoi Kupën e Ligave.
Ndërsa Ha’alandi ndihmoi Mançester Sitin të triumfojë në Premier Ligën, Kupën Anglisë (FA Cup) dhe Ligën e Kampioneve. Në 53 ndeshje të luajtura edicionin e shkuar me fanellën e ekipit anglez, Ha’aland shënoi 52 gola.