AlbanianSport.com 15/01/2024 19:50
ASNN – Teksa e ka mbyllur si “Sportisti Më i Mirë” i Kampionatit Kombëtar për Të Rritur dhe të Rritura, që u zhvillua të shtunën në Tiranë, në përfundim të garës kampioni Ertjan Kofsha u shfaq shumë i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin e arritur. “Jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar, që arrita të shpallesha “kampion” i Shqipërisë për të rritur, – ka deklaruar ai, duke folur pas garës.
“Ky është një sukses i madh për mua, pasi tashmë po rritem shumë dhe kam premisa të mëdha, – ka vijuar më tej peshëngritësi i ri. – Falënderoj Bashkinë dhe Federatën e Peshëngritjes për mbështetjen që më kanë dhënë gjithmonë. Tashmë më pret gara ndërkombëtare në 13 shkurt, Kampionati Evropian për Të Rritur në Bullgari, ku do të synoj të kem rezultate sa më të larta.”
Ndërsa pas garës ka folur edhe trajneri i Ertjan Kofshës, Leonard Toska, i cili është shprehur i kënaqur me paraqitjen e sportistit të tij. “Kofsha më gëzoi dhe njëherë tjetër, duke treguar se është e ardhmja e peshëngritjes. Shumë shpejt ai do të bëhet sportist i madh dhe këtë do ta shohin të gjithë. Tani na pret gara e Bullgarisë, ku Ertjani do synojë të renditet në zonën e shpërblimeve”, – ka përfunduar trajneri Leonard Toska.