AlbanianSport.com 14/01/2024 13:30
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat çeke, Qazim Laçi është shndërruar në një nga lojtarët më të dashur të tifozëve të Spartës ë Pragës. Mesfushori dibran i Kombëtares kuqezi, po paraqitet shumë mirë me skuadrën çeke. Sezonin e kaluar fitoi titullin “kampion”, ndërkohë që këtë edicion numëron 2 gola dhe 7 pasime për gol në të gjithë veprimtaritë.
Tifozët e duan prej faktit që jep gjithmonë zemrën në fushë, ndërkohë që 27-vjeçari gëzon respekt maksimal edhe mes shokëve të skuadrës dhe stafit teknik. Gjithmonë pozitiv dhe i buzëqeshur, dhe gati për të luftuar për fanellën që mban mbi supe. Sparta ka publikuar një video nga rikthimi i Laçit në skuadër. Siç dallohet, atmosfera është e shkëlqyer dhe të gjithë ndihen mirë me “luftëtarin” shqiptar, i cili ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit.
Tashmë do të ketë shok skuadre edhe Indrit Tucin, sulmuesin e talentuar kurbinas, të cilin Sparta e bleu nga kroatët e Lokomotivës së Zagrebit. Aktualisht, ekipi kryeqytetas renditet në vendin e parë me 5 pikë më shumë se rivalët e Slavias, të cilët kanë luajtur një ndeshje më pak. Sparta vijon garimin edhe në Europa League. Rikthimi i fuqishëm i Laçit, është sinjal për Silvinjon.