AlbanianSport.com 13/01/2024 22:15
ASNN – Ato të dyja ishin prej skuadrave që kanë patur një nga nisjet më katastrofike të këtij sezoni. Verona e Empoli u përballen me njëra-tjetrën, pasditen e kësaj të shtune, me verdheblutë vendas, që në Stadiumit “Bentegodi” mposhtën me rezultatin 2-1, skuadrën e shqiptarëve, Etrit Berisha, Ardian Ismajli e Stiven Shpendi. Po vetëm ky fundit ishte i vetmi “kuqezi” në fushën e blertë, duke luajtur si titullar për 56 minuta, pasi Berisha ishte në stol dhe Ismajli në tribunë.
Një gol i Milan Gjuriçit në minutën e 3-të të sfidës, si dhe një gol i Siril Ngongesë, në minutën e 56-të të sfidës u mjaftuan veronezëve ndaj skuadrës së Empoli, për të cilët golin e vetëm e shënoi polaku, Szimon Zurkovski, në minutën e 64-t të ndeshjes, teksa fillimisht u mendua për një përmbysje të madhe të miqve, por që nuk u materializua dot në fund.
Falë këtij rezultati, skuadra e Hellas Veronës shpëton përkohësisht nga “zona e ftohtë” e rënies nga kategoria, teksa ngjitet në kutoën e 17 pikëve, me 2 pikë para skuadrës së Kaljarit, e cila do të luajë ndeshjen e saj, mesditën e së dielës, ndërsa skuadra e Empolit mbetet në vendin e 19-të të tabelës së renditjes së Serisë A, me 13 pikë të grumbulluara.