AlbanianSport.com 13/01/2024 15:50
ASNN – Pas ndeshjes së parë, të zhvilluar të premten në mbrëmje, aty ku Dinamo është mundur 2-3 në Durrës nga Tirana, java e 19-të e Kategorisë Superiore ka vijuar të shtunën dhe, pasdreke, rrogozhinasit e Egnatias e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë vit kalendarik, teksa në Stadiumin e tyre, “Arena Egnatia” kanë mundur me rezultatin minimal, 1-0, Skënderbeun.
Goli i vetëm i sfidës erdhi pas një ore lojë, kur pas një ndërhyrje të gabuar në zonë nga Markos Ramos, gjyqtari ka dhënë një 11-metërsh në favor të vendasve, që kthehet në gol me një goditje të zgjuar, “alla Panenka”, nga braziliani Fernando Medeiros, i cili udhëheq skuadrën drejt një tjetër fitoreje për këtë sezon. Falë kësaj fitoreje, Egnatia mbetet në vendin e parë, tashmë në kuotën e 40 pikëve, 8 më shumë se ndjekësja më e afërt, Partizani.
Pasditen e kësaj të shtune të kuqtë do të sfidojnë në “Arenën e Demave”, Teutën, ndërsa skuadra e Skënderbeut mbetet në vendin e 6-të të tabelës, me 22 pikë, një pikë më shumë se Laçi e Erzeni, por që kanë luajtur një ndeshje më pak, atë që do të zhvillojnë të dielën midis tyre. Kjo ishte fitorja e 12-të për Egnatian këtë sezon, ku ka marrë edhe 4 barazime dhe ka pësuar edhe 3 humbje.