AlbanianSport.com 13/01/2024 14:55
ASNN – Analiza e ecurisë & përmirësimi i futbollit. FSHF, takim me anëtarët e SHRF Tiranë. Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një takim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë dhe të gjithë anëtarët e kësaj shoqate, për të diskutuar përmirësimin e anës organizative të aktiviteteve, rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm e futbollit në këtë qark. Të pranishëm në këtë mbledhje që u zhvillua në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Envi Hicka dhe Përgjegjësi i Futbollit të Fëmijëve në FSHF, Andi Zëre.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i SHRF Tiranë, Krenar Alimehmeti, ndërkohë që morën pjesë edhe drejtues të klubeve, shoqatave të futbollit dhe akademive të kryeqytetit. Në fjalën e tij, Presidenti Duka vlerësoi punën e bërë nga të gjithë anëtarët e SHRF Tiranë përgjatë vitit 2023 dhe theksoi se ky takim u organizua me qëllimin për të shkëmbyer mendime dhe ide për të përmirësuar sa më shumë proceset organizative dhe për të pasur rezultate sa më të mira në çdo drejtim të zhvillimit të futbollit. “Të ftojmë çdo vajzë e çdo djalë që vijë e të luajë futboll”, – tha ndër të tjera Duka.
Presidenti Duka u bëri thirrje anëtarëve të SHRF Tiranë që të vijnë me propozime konkrete për projekte të ndryshme, ide dhe sugjerime që mund të sjellin sa më shumë risi për futbollin dhe të ndihmojnë në rritjen e tij. Sakaq, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Envi Hicka, u shpjegoi anëtarë të shoqatës skemën e kompensimit të trajnimit për futbolistët, ndërsa Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea nga ana tjetër u prezantoi të pranishmëve edhe strategjinë teknike që ka në fokus metodologjinë e punës me futbollistët e vegjël dhe strukturat përkatëse.
Më tej, mbledhja vijoi me diskutime mes anëtarëve dhe përfaqësuesve të FSHF dhe SHRF Tiranë për çështje të ndryshme që lidheshin me kompensimin e trajnimit dhe strategjinë teknike. Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur një tur takimesh me të gjitha shoqatat rajonale dhe anëtarët e tyre për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të punës që bëhet me talentet e reja dhe njëkohësisht për të përmirësuar infrastrukturën.