AlbanianSport.com 12/01/2024 19:45
ASNN – Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përmbyllur me sukses testet fizike dhe seminaret teorike për gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit në prag të rifillimit të edicionit futbollistik 2023-2024. Të mërkurën, gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e Kategorisë Superiore iu nënshtruan testeve fizike në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” me rezultatet që ishin mjaft të mira, ndërsa të enjten u zhvillua seminari, ku mori pjesë edhe Instruktori i UEFA-s dhe Drejtori i IFAB-it, Dejvid Elerej.
Gjatë seminarit u diskutua për situata të ndryshme të lojës dhe interpretimi i duhur i rregulloreve, ndërsa gjyqtarët shkëmbyen vazhdimisht mendime për raste të caktuara të ndeshjeve. Drejtori i IFAB-it dhe Instruktori i UEFA-s, Dejvid Elerej, duke folur për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së vlerësoi ecurinë e seminarit dhe theksoi se qëllimi kryesor është për të rritur standartin e gjyqtarëve dhe ndihmësgjyqtarëve dhe për t’i bërë ata më profesionistë e më të fokusuar në lojë.
“Vizita ime këtu është në vazhdën e punës së bërë, – ka deklaruar britaniku. – Këtë gjë e kemi bërë gjatë dy viteve të fundit me qëllim për të rritur standardin e gjyqtarëve dhe ndihmësgjyqtarëve në lojën e meshkujve dhe femrave, për t’i bërë ata më profesionistë, më të fokusuar. Gjatë seminarit me temë “Menaxhimi i lojës”, do të shikojmë ndikimin që ka një gjyqtar në lojë. Do të studiojmë edhe rastet e simulimeve brenda zonës. Përqendrimi në lojë, kujdesi nga gjyqtari për ta mbajtur lojën në kontroll”, – përfundoi Dejvid Elerej.
Në këtë seminar teorik u diskutuan dhe u evidentuan të gjitha problematikat e kampionatit shqiptar dhe gjithashtu u punua edhe me video-teste që UEFA përdor sot për të gjithë gjyqtarët e niveleve të ndryshme. Në përfundim të seminarit, Drejtori i IFAB-it dhe Instruktori i UEFA-s, Dejvid Elerej u dorëzoi stemën e FIFA-s 6 gjyqtarëve kryesorë dhe 12 ndihmësgjyqtarëve, ndërsa janë pajisur me stemën e FIFA-s si “Video Match Official” (VAR) Enea Jorgji, Juxhin Xhaja dhe Kreshnik Barjamaj, dhe si gjyqtar i futbollit të sallës me stemën e FIFA-s është vetëm Arlind Subashi.