AlbanianSport.com 10/01/2024 18:55
ASNN – 70 kryesorë dhe ndihmës kryejnë testet fizike dhe seminaret teorike. “Shtëpia e Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, ka mirëpritur 70 gjyqtarë kryesorë dhe ndihmësgjyqtarë të kampionatit shqiptar të cilët u janë nënshtruar testeve fizike dhe seminareve teorike, me qëllim përmirësimin e nivelit të gjykimit, si dhe zgjerimin e njohurive.
Gjatë të mërkurës, ata kanë zhvilluar fillimisht testet fizike, ndërsa më pas kanë ndjekur seminarin teorik, ku veç njohurive të reja, janë diskutuar e analizuar edhe situata të ndryshme të ndodhura përgjatë dy fazave të para të kampionatit. Shefi i Sektorit të Gjykimit në FSHF, Sokol Jareci tregoi se gjendja e gjyqtarëve pas testeve fizike të zhvilluara të mërkurën duket mjaft optimale.
Ndërkaq, ai zbuloi edhe se ku do të përqendrohen më tepër seminaret teorike përgjatë këtyre dy ditëve. “Jemi në prag të fillimit të fazës së tretë të kampionatit dhe gjyqtarët dhe të gjithë ndihmësit e të gjitha kategorive do t’i nënshtrohen seminareve dhe testeve fizike, – ka thënë Jareci. – Gjendja duket optimale, që tregon që gjyqtarët vazhdojnë dhe stërviten sistematikisht duke ndjekur programin që preparatorët atletikë vënë në dispozicion të tyre.”
“Pjesë të seminarit do të jenë të gjitha problematikat e fazës së parë të kampionatit duke përfshirë edhe disa tema te tjera, të cilat së bashku me pjesen vizive, pra me video testin dhe me pamje te tjera do të përbëjnë atë që është pjesa teorike ose pjesa e seminarit teorik”, – ka shtuar ai. Të enjten do të vazhdohet me ditën e dytë të seminarit, ku i ftuar në seminar do të jetë drejtori i IFAB-it, Dejvid Ellerei nga Anglia, i cili është ne rolin e instruktorit te UEFA dhe është personi i cili përgjigjet për paraqitjen shqiptarë në UEFA.